Rei Manaj pritet të mungojë për një kohë të gjatë në fushën e lojës, pasi sulmuesi i kombëtares shqiptare ka pësuar një dëmtim të rëndë që mund t’i japë fund sezonit të tij me Sivassporin.
Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi turk, i cili bëri të ditur se futbollisti shqiptar u dëmtua gjatë ndeshjes së zhvilluar një ditë më parë. Sipas raportit mjekësor, Manaj ka pësuar një çarje të tendinit në pjesën e pasme të kofshës së majtë, gradë 3c, e shoqëruar edhe me gjakderdhje në muskul.
Në njoftimin zyrtar, Sivasspor thekson se dëmtimi u konstatua pas ekzaminimit me rezonancë magnetike të kryer sot, duke konfirmuar seriozitetin e situatës.
Kjo është një goditje e madhe për trajnerin Sylvinho, pasi Rei Manaj është aktualisht një nga golashënuesit kryesorë të kombëtares, në prag të sfidës së rëndësishme ndaj Polanisë.
Sulmuesi ishte rikthyer te Sivasspor gjatë merkatos së dimrit, por aktivizimi i tij në ndeshjen e fundit duket se ka rezultuar i nxituar, pasi lojtari kishte shfaqur shqetësime fizike edhe gjatë stërvitjeve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)