Dështimi i Italisë për të qenë pjesë e Kupës së Botës ka sjellë reagime të forta emocionale nga trajneri Gennaro Gattuso, i cili u shfaq i zhgënjyer dhe në lotë pas humbjes në Bosnje Hercegovinë.
Tekniku i “axurrëve” theksoi se skuadra nuk e meritonte një goditje të tillë, duke vlerësuar përkushtimin dhe shpirtin e lojtarëve në fushë.
“Këta djem nuk e meritonin një humbje të tillë për vendosmërinë dhe impenjimin që treguan. Luajtëm me shumë vështirësi dhe madje mbetëm me 10 lojtarë që nga minuta e 40-të. Jemi të trishtuar, dhemb shumë”, u shpreh Gattuso.
Ai shtoi se është krenar për ekipin, duke nënvizuar se lojtarët e kanë surprizuar edhe atë vetë me zemrën dhe përkushtimin e treguar në fushë: “Kemi qenë si në llogore, të gjithë dhanë maksimumin. Ky është futbolli”.
I pyetur për të ardhmen e tij në krye të kombëtares, Gattuso shmangu komentet, duke theksuar se momenti është i vështirë dhe fokusi duhet të jetë te dështimi për t’u kualifikuar.
“Nuk është momenti për të folur për të ardhmen. E rëndësishme është që nuk arritëm të shkojmë në Botëror për herë të tretë radhazi. Kërkoj falje që nuk ia dolëm”, përfundoi ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)