Pogradeci është vetëm një hap larg rikthimit në elitën e futbollit shqiptar. Skuadra liqenore siguroi përballjen për një vend në Kategorisë Superiore pasi triumfoi 1-0 ndaj Besës në finalen e playoff-it të Kategorisë së Parë, në një duel të luftuar deri në minutat shtesë.
Takimi nisi me ritëm të lartë nga kavajasit, të cilët krijuan rastet më të mira në pjesën e parë me Grecën dhe Chinëendun, por pa arritur të gjejnë rrugën e rrjetës. Edhe fraksioni i dytë solli raste nga të dyja skuadrat, megjithatë porta mbeti e paprekur dhe sfida shkoi në kohën shtesë pas barazimit 0-0 në 90 minutat e rregullta.
Momenti vendimtar erdhi në shtesë, kur India Oliveira realizoi golin që i dha avantazhin dhe fitoren Pogradecit. Minutat e fundit u shoqëruan edhe me tension në fushë, teksa arbitri nxori tre kartonë të kuq: Neto dhe Kofi u ndëshkuan për Besën, ndërsa Kazim për Pogradecin.
Me këtë sukses, Pogradeci fiton të drejtën të luajë për të dytin sezon radhazi në ndeshjen e playout-it për ngjitjen në Superiore, pasi sezonin e shkuar u mposht nga Tirana.
Këtë herë ‘Liqenorët’ do të kenë përballë Teutën, në sfidën që do të zhvillohet më 16 maj, në orën 16:00, në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)