Të paktën nëntë persona humbën jetën dhe tetë të tjerë u plagosën pas një shpërthimi në një laborator kokaine në bregun e Paqësorit në Kolumbi. Policia njoftoi se ngjarja ndodhi në departamentin Narino, një zonë e njohur për prodhimin e kokainës dhe praninë e grupeve të armatosura.
Sipas autoriteteve, viktimat ishin pjesëtarë të Koordinatorit Kombëtar të Ushtrisë Bolivariane, një fraksion disident i ish-grupit gueril FARC, i cili refuzoi marrëveshjen e paqes të vitit 2016 që i dha fund dekadave të konfliktit të armatosur në Kolumbi. Sipas hetimeve paraprake, shpërthimi u shkaktua nga një bombol gazi, e cila po përdorej gjatë procesit të prodhimit të drogës.
“Si pasojë e gabimit njerëzor dhe keqmenaxhimit të bombolave të gazit, vendi u përfshi nga flakët në pak sekonda”, deklaroi koloneli i policisë John Jairo Urrea. Laboratori ndodhej në territorin indigjen të komunitetit Awa, e cila është shpallur si “zonë paqeje”. Megjithatë, prej vitesh ky territor është përballur me aktivitet të lartë të grupeve të organizuara kriminale.
Për dekada me radhë, rajoni i Narinos ka qenë nyje kyçe e trafikut të kokainës drejt Shteteve të Bashkuara. Aty, kontrolli i bandave lokale është forcuar edhe me ndihmën e karteleve meksikane. Presidenti kolumbian Gustavo Petro reagoi ashpër pas ngjarjes, duke ngritur pikëpyetje mbi praninë e laboratorit të drogës në një zonë paqeje. Ngjarja vjen në një moment tensionesh rajonale.
Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, akuzoi së fundmi qeverinë e Petro-s se nuk ka vepruar kundër trafikut të drogës përgjatë kufirit të përbashkët, duke vendosur një tarifë doganore 30% ndaj Kolumbisë. Bogota reagoi duke vendosur të njëjtën masë reciproke. Presidenti i Kolumbisë, i cili ka qenë edhe më herët në shënjestër të kritikave nga presidenti Donald Trump për trafikun e drogës, pritet të udhëtojë në Uashington më 3 shkurt për takime zyrtare me homologun e tij amerikan.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)