Pas tensioneve politike, Groenlanda ecën kundër trendeve globale klimaterike

Sipas parashikimeve, nëse emetimet e gazrave serrë kufizohen, niveli i detit rreth Groenlandës mund të bjerë rreth 0,9 metra në dekadat e ardhshme. Në rast se ngrohja globale vazhdon me ritme të larta, ulja mund të arrijë deri në 2,5 metra.

17.02.2026. 18:23

Pas tensioneve politike, Groenlanda ecën kundër trendeve globale klimaterike

Niveli i detit përreth Groenlandës pritet të ulet në dekadat e ardhshme, në kundërshtim me trendin global të rritjes së ujërave detare. Ky është përfundimi i një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore “Nature Communications”.

Ndërsa në pjesën më të madhe të globit ndryshimet klimatike po shkaktojnë rritjen e nivelit të deteve, si pasojë e zgjerimit termik të ujit dhe shkrirjes së akullnajave, situata rreth Groenlandës po zhvillohet ndryshe. Rreth 80% e territorit të ishullit mbulohet nga një shtresë e trashë akulli, e cila po humbet rreth 200 miliardë tonë masë çdo vit. Megjithatë, pikërisht kjo humbje mase po shkakton një efekt të kundërt në nivel lokal.

Sipas studiuesve, ndërsa shtresa e akullit zvogëlohet, toka nën të fillon të ngrihet. Ky fenomen, i njohur si “rregullimi izostatik akullnajor”, është i ngjashëm me rikthimin në formë të një dysheku pasi largohet pesha mbi të. Një tjetër faktor është graviteti. Kur shtresa e akullit është shumë e madhe, masa e saj tërheq ujin e detit përreth përmes forcës gravitacionale. Me zvogëlimin e saj, kjo tërheqje dobësohet dhe uji largohet, duke kontribuar në uljen e nivelit të detit në zonë.

Sipas parashikimeve, nëse emetimet e gazrave serrë kufizohen, niveli i detit rreth Groenlandës mund të bjerë rreth 0,9 metra në dekadat e ardhshme. Në rast se ngrohja globale vazhdon me ritme të larta, ulja mund të arrijë deri në 2,5 metra. Ky ndryshim pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te komunitetet bregdetare, infrastruktura ekzistuese, peshkimi dhe rrugët e lundrimit në Arktik. Ekspertët theksojnë se ndryshimet klimatike nuk prodhojnë efekte të njëtrajtshme në të gjithë planetin, por krijojnë dinamika komplekse dhe shpesh të papritura në nivel rajonal.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)