Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia mund të ndërpresë menjëherë furnizimin me gaz për tregun evropian, pa pritur hyrjen në fuqi të vendimit të Bashkimit Evropian më 25 prill, i cili ndalon importin e gazit rus.
Në një intervistë në mediat ruse, ai u shpreh se për Moskën mund të jetë më e leverdishme të ndalë tani furnizimet drejt Evropës dhe të përqendrohet në tregje të reja që po hapen. Sipas tij, qeveria ruse do të punojë së bashku me kompanitë energjetike për këtë çështje.
Megjithatë, Putin theksoi se Rusia do të vazhdojë të furnizojë me naftë dhe gaz vendet që i konsideron partnerë të besueshëm, duke përmendur konkretisht Sllovakinë dhe Hungarinë. Ai shtoi se bashkëpunimi do të vazhdojë për sa kohë që këto vende ndjekin një politikë të qëndrueshme dhe mbeten partnere të sigurta për Moskën.
Sa i përket rritjes së çmimeve të gazit në Bashkimin Evropian, Putin deklaroi se kjo nuk lidhet me uljen e furnizimeve ruse, pasi sipas tij ato nuk janë reduktuar. Ai argumentoi se çmimet janë rritur për shkak të situatës së përgjithshme në tregjet globale të energjisë, përfshirë zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe tensionet ushtarake mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.
Presidenti rus e cilësoi rritjen e çmimeve në Evropë si pasojë të një politike energjetike të gabuar shumëvjeçare nga autoritetet evropiane, duke shtuar se kjo politikë, sipas tij, nuk është në interes të qytetarëve të vendeve të BE-së.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)