Rusia e sjell luftën te NATO, droni godet centralin elektrik në Estoni

Zyrtarët theksojnë se incidenti lidhet me pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë dhe jo me një sulm të drejtpërdrejtë ndaj vendit Baltik.

25.03.2026. 09:33

Rusia e sjell luftën te NATO, droni godet centralin elektrik në Estoni

Një dron që vinte nga hapësira ajrore ruse është përplasur me oxhakun e centralit elektrik të Auveres në verilindje të Estonisë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës. Kjo ngjarje ka ngritur shqetësime për përhapjen e pasojave të luftës në Ukrainë drejt kufijve të NATO-s. Sipas autoriteteve dhe kompanisë energjetike Enefit Power, nuk ka të lënduar dhe sistemi energjetik i Estonisë nuk ka pësuar dëme.

Shërbimi i Sigurisë së Brendshme bëri të ditur se droni e goditi centralin në orën 03:43 të mëngjesit të 25 marsit. Në vendngjarje u dërguan specialistë për çaktivizimin e mjeteve shpërthyese, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme ka nisur procedurat dhe është hapur një hetim për të zbardhur rrethanat e incidentit.

Prokurorja e Përgjithshme e Estonisë, Astrid Asi, deklaroi se bazuar në informacionet aktuale, droni nuk duket të ketë qenë i drejtuar qëllimisht drejt territorit estonez. “Hetimet sapo kanë nisur dhe do të përcaktojnë saktësisht rrethanat”, tha ajo. Ngjarja vjen në një kohë kur raportohet për sulme me dronë nga Ukraina ndaj portit rus të Ust-Luga.

Zyrtarët theksojnë se incidenti lidhet me pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë dhe jo me një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Estonisë. “Ky është një nga efektet e luftës në shkallë të plotë të Rusisë. Është e arsyeshme të presim incidente të tjera të ngjashme”, deklaroi drejtori i Shërbimit të Sigurisë së Brendshme, Margo Palloson.

Ndërkohë, ministrja e Drejtësisë, Liisa-Ly Pakosta, njoftoi se qeveria do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar situatën e sigurisë. Sipas vlerësimeve paraprake të Enefit Power, nuk ka dëme të menjëhershme në central dhe ngjarja nuk do të ndikojë në furnizimin me energji elektrike në vend.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)