Aktivitet në objektet bërthamore të Iranit, satelitët zbulojnë lëvizje

Ekspertët besojnë se lëvizjet nuk lidhen me rindërtim, por me përpjekje për të vlerësuar nëse materiale të rëndësishme bërthamore kanë mbijetuar pas sulmeve ajrore të vitit të kaluar.

31.01.2026. 09:09

Aktivitet në objektet bërthamore të Iranit, satelitët zbulojnë lëvizje

Mes rritjes së tensioneve pas shtypjes së dhunshme të protestave në vend, imazhet satelitore kanë treguar lëvizje në dy objekte bërthamore të Iranit, në Isfahan dhe Natanz. Sipas kompanisë “Planet Labs PBC”, mbi disa ndërtesat e dëmtuara janë ndërtuar çati të reja, duke penguar vëzhgimin nga satelitët.

Ekspertët besojnë se lëvizjet nuk lidhen me rindërtim, por me përpjekje për të vlerësuar nëse materiale të rëndësishme bërthamore kanë mbijetuar pas sulmeve ajrore të vitit të kaluar nga Izraeli dhe SHBA. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike nuk ka pasur akses në këto objekte dhe nuk ka dhënë koment.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë shtuar praninë ushtarake në Lindjen e Mesme, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump kërkon rifillimin e negociatave për programin bërthamor iranian. SHBA kanë dislokuar aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln dhe disa anije luftarake me raketa në Lindjen e Mesme, megjithatë ende nuk është e qartë nëse Uashingtoni do të përdorë forcën ushtarake.

Objektet e Natanzit dhe Isfahanit janë ndër qendrat më të rëndësishme të programit bërthamor iranian. Natanz, rreth 220 kilometra në jug të kryeqytetit, ishte vendi kryesor për pasurimin e uraniumit. Para luftës u përllogarit se Irani kishte arritur nivelin e pasurimit deri në 60 për qind, duke qenë shumë pranë nivelit të nevojshëm për të krijuar armë bërthamore. Ndërsa objekti i Isfahanit shërbente kryesisht për prodhimin e gazit të uraniumit, që përdoret në centrifuga.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)