Irani nis hakmarrjen, sulmon bazat amerikane dhe portet në Emirate dhe Bahrein

Porti i Fujairah, i cili ndodhet në Gjirin e Omanit dhe është një nga objektet më të mëdha të magazinimit të naftës në Lindjen e Mesme dhe një qendër e rëndësishme furnizimi për karburantin e anijeve është goditur me drone.

Burimi: Sky News

14.03.2026. 12:41

Irani nis hakmarrjen, sulmon bazat amerikane dhe portet në Emirate dhe Bahrein

Forcat detare të Iranit kanë kryer "disa valë të njëpasnjëshme" sulmesh ndaj bazave amerikane në Lindjen e Mesme, përfshirë goditje në Abu Dhabi dhe Bahrein. Shefi i Marinës Iraniane, Admirali Alizar Tangsiri, u citua të ketë thënë se sulmet kanë përfshirë sistemet e radarëve Patriot, avionët dhe rezervuarët e karburantit për avionë.

Ai specifikoi bazat al-Dhafra në Abu Dhabi dhe Sheikh Isa në Bahrein si objektiva kryesore.

Sakaq, Porti i Fujairah, i cili ndodhet në Gjirin e Omanit dhe është një nga objektet më të mëdha të magazinimit të naftës në Lindjen e Mesme dhe një qendër e rëndësishme furnizimi për karburantin e anijeve është goditur me drone.

Video të postuara në rrjetet sociale tregojnë re të mëdha tymi mbi kompleksin në bregdetin lindor të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Bahreini, ku ndodhet Flota e Pestë e Marinës Amerikane, ka qenë objektiv i sulmeve të përsëritura iraniane gjatë dy javëve të fundit. Autoritetet bënë me dije se forcat e armatosura të Bahreinit kanë kapur deri tani 124 raketa dhe 203 dronë që nga fillimi i konfliktit.

Sulmet vijnë pas tensioneve të përshkallëzuara midis Teheranit dhe Uashingtonit, duke pasuar sulmet amerikane ndaj ishullit Kharg, një pikë kyçe për industrinë e naftës iraniane.

Garda Revolucionare Iraniane ka deklaruar se "strehimet" amerikane në Emiratet e Bashkuara Arabe janë "objektiva legjitime" pas sulmeve të SHBA-së në ishullin Kharg.

"Ne e konsiderojmë të drejtën tonë legjitime për të mbrojtur sovranitetin e tyre kombëtar dhe vendin. Objektiva të mundshme mund të jenë portet, doket dhe vendet ku janë të vendosur ushtarët amerikanë në disa qytete në Emiratet e Bashkuara Arabe", tha Garda Revolucionare në një deklaratë të transmetuar nga agjencia Tasnim.

Në deklaratë gjithashtu kishte një thirrje për banorët e Emirateve të Bashkuara Arabe. "Largohuni nga portet, doket dhe zonat me prani ushtarake amerikane për të shmangur viktimat."

Sakaq, sipas zëvendësit të guvernatorit të provincës Bushehr, Ehsan Jahanian, eksportet e naftës nga ishulli Kharg "vazhdojnë normalisht" dhe objektet mbeten të paprekura pas sulmeve.

"Procesi i eksportimit të naftës nga terminali i naftës Kharg është në kulmin e tij dhe aktivitetet e kompanive me seli në ishull vazhdojnë pa ndërprerje”, tha ai.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)