Një student i Institutit Indian të Teknologjisë zgjodhi një mënyrë të pazakontë, por edhe mjaft të diskutueshme, që të tërhiqte vëmendjen e një drejtuesi kompanie në SHBA. Ai i dërgoi CV-në në e-mail me një subjekt alarmues: “Emri yt është në dosjet ‘Epstein’”. Qëllimi i vetëm i studentit ishte që të sigurohej se letra e tij elektronike do të lexohej.
Strategjia funksionoi, por reagimi nuk ishte ai që i riu priste. Harshdeep Rapal, bashkëthemelues i një kompanie me seli në Delaëare, tregoi në rrjetin social “X” se kishte marrë një e-mail me këtë përmbajtje shqetësuese. Referenca ishte ndaj dokumenteve të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë lidhur me financierin famëkeq Jeffrey Epstein dhe listën e personave të përmendur në hetime. Emri i Rapal nuk figuron në ato dokumente.
I alarmuar, ai e hapi mesazhin dhe zbuloi se bëhej fjalë për një “shaka pa kripë” nga studenti. Në rreshtat e parë, i riu pohonte: “Mirëmëngjes Harshdeep, po bëja shaka. Thjesht doja që ta hapje e-mail”. Më pas, ai kërkonte një intervistë pune dhe kishte bashkëngjitur CV-në.
Rapal e cilësoi qasjen si “të papërshtatshme” dhe “joprofesionale”, duke publikuar një pamje të e-mail, por pa bërë publik identitetin e plotë të studentit. Ai paralajmëroi të rinjtë që të mos përdorin metoda të tilla për të tërhequr vëmendjen e punëdhënësve.
“Ju lutem, mos e bëni këtë. Merrni një moment për të reflektuar. Në kompaninë tonë puna merret seriozisht. Kërkojmë përgjegjësi dhe profesionalizëm. Nëse e-maili juaj i parë përmban një mesazh të tillë, nuk do të merrni përgjigje. Kështu veprojnë shumica e drejtuesve”, shkruante ai. Sipas mediave indiane, episodi është bërë viral dhe ka ndezur debat mbi kufirin mes kreativitetit dhe profesionalizmit në kërkimin e një vendi pune.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)