“Blue Monday”, ja pse 19 janari është dita më e trishtueshme e vitit

Nuk ka asnjë bazë shkencore, por edhe pse cilësohet një shpikje marketingu, lidhet me faktorë si moti, borxhet pas Krishtlindjeve apo lodhja dimërore.

19.01.2026. 09:31

“Blue Monday”, ja pse 19 janari është dita më e trishtueshme e vitit

E hëna e tretë e muajit janar, që këtë vit përkoi me datën 19, njihet si “Blue Monday” ose e thënë ndryshe “dita më e trishtuar e vitit”. Edhe pse kjo ide vazhdon prej më tepër se 20 vitesh, nuk ka asnjë bazë shkencore. Ajo cilësohet në fakt një shpikje marketingu, e lindur nga një fushatë reklamash në vitin 2005.

Pavarësisht mungesës së provave shkencore, “Blue Monday” vazhdon të rikthehet çdo vit, duke u shndërruar në një lloj rituali kolektiv. Janari është realisht një muaj i vështirë: është periudha më e ftohtë e dimrit dhe një moment kur organizmi ynë është më i brishtë. Megjithatë, nuk ka asnjë arsye konkrete përse pikërisht e hëna e tretë e muajit duhet të jetë dita më e trishtuar e vitit.

Ndjenja e plogështisë në janar nuk është vetëm një perceptim kolektiv. Trupi i njeriut vihet realisht në provë nga dimri, ndërsa edhe konsumi ekonomik bie ndjeshëm pas shpenzimeve të festave të fundvitit. Pikërisht për të përballuar këtë ngadalësim ekonomik dhe psikologjik, lindi narrativa e “Blue Monday”, e cila e shpjegon simbolikisht këtë gjendje dhe e shndërron në një mundësi komerciale.

Formula e krijuar bazohej në faktorë si moti, borxhet pas Krishtlindjeve, lodhja dimërore dhe nevoja për të “rifilluar”. Përtej marketingut, janari është një nga periudhat më delikate të vitit nga ana emocionale. Gjatë dimrit është më i përhapur çrregullimi afektiv sezonal, i lidhur me mungesën e dritës natyrore.

Sipas psikologjisë, forca e “Blue Monday” qëndron te përcaktimi i saktë i emocioneve: t’i japësh një emër një gjendjeje shpirtërore e ndihmon trurin ta njohë dhe ta ndajë me të tjerët. Edhe pse nuk është një fenomen shkencor, “Dita më e trishtueshme e vitit” vazhdon të funksionojë si simbol i lodhjes emocionale të dimrit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)