Angli, inteligjenca artificiale do të parashikojë nëse fëmijët kanë prirje të bëhen kriminelë

Sistemi i inteligjencës artificiale do të analizojë dhe do të ndërthurë të dhëna ekzistuese, që aktualisht administrohen nga autoritetet dhe departamentet qeveritare.

17.02.2026. 19:10

Angli, inteligjenca artificiale do të parashikojë nëse fëmijët kanë prirje të bëhen kriminelë

Qeveria britanike synon të përdorë inteligjencën artificiale për të parashikuar sjelljen e fëmijëve dhe për të identifikuar ata që konsiderohen më të rrezikuar për t’u përfshirë në aktivitete kriminale. Lajmi është raportuar nga e përditshmja britanike “The Times”. Sistemi i inteligjencës artificiale do të analizojë dhe do të ndërthurë të dhëna ekzistuese, që aktualisht administrohen nga autoritetet dhe departamentet qeveritare.

Ato përfshijnë informacione nga shërbimi shëndetësor, shërbimet sociale, policia si edhe ministritë e Punës dhe Arsimit. “Po shqyrtojmë se si mund ta përdorim më mirë inteligjencën artificiale për të parashikuar kriminelët e së ardhmes, duke e bërë këtë në mënyrë etike dhe morale”, ka deklaruar një burim qeveritar për “The Times”.

Sipas të njëjtit burim, aktualisht sistemi gjyqësor përballet vazhdimisht me të njëjtat profile kriminale, por ndërhyrja ndodh shumë vonë. Qëllimi nuk është kriminalizimi i individëve, por identifikimi më i hershëm i sinjaleve paralajmëruese. “Duke përdorur inteligjencën artificiale, mund të shkojmë shumë më tej sesa bëjmë sot. Modelet e bazuara në AI mund të ndihmojnë në kuptimin më të mirë të alarmit dhe në ndërhyrje më të hershme”, citohet të ketë thënë burimi.

Për të parandaluar rrezikun e stigmatizimit racor dhe social, autoritetet planifikojnë të vendosin standarde të qarta etike dhe operative. Kjo për të siguruar që algoritmet të mos prodhojnë paragjykime apo diskriminim ndaj komuniteteve të caktuara. Gjithashtu, disa studime tregojnë se prirja drejt krimit është e pranishme edhe te të sapolindurit. Tendenca për të shkelur ligjin gjendet nëpërmjet të dhënave shëndetësore të mbledhura te foshnjet, por ende nuk është e qartë nëse qeveria në Londër do ta nisë iniciativën e saj prej kësaj grupmoshe.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)