Pamja e një qeni që pret te dera sapo pronari kthehet në shtëpi është një moment i zakonshëm, por shumë domethënës për marrëdhënien njeri-kafshë. Megjithatë, ekspertët thonë se kjo sjellje nuk lidhet vetëm me dashurinë apo dëgjimin e mprehtë, por ka një bazë të fortë shkencore.
Sipas specialistëve të sjelljes së kafshëve, qentë janë jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj rutinave dhe ndryshimeve të vogla në ambient. Ata janë në gjendje të dallojnë modele të përditshme, duke përfshirë oraret, tingujt e zakonshëm, ndriçimin dhe lëvizjet në shtëpi apo në lagje.
Eksperti i sjelljes së qenve, Kris Maksted, shpjegon se qentë “janë mjeshtër në vëzhgimin e detajeve të vogla dhe në krijimin e lidhjeve mes ngjarjeve”. Sipas tij, nëse një person kthehet rregullisht në të njëjtën orë, qeni fillon të lidhë sinjale të caktuara me ardhjen e pronarit.
Me kalimin e kohës, kjo bëhet pjesë e rutinës së tyre dhe krijon një pritshmëri të fortë. Edhe pse lidhja emocionale me pronarin është shumë e rëndësishme, kjo sjellje është kryesisht rezultat i mësimit dhe përforcimit të përditshëm.
Ekspertët shtojnë se dera e hyrjes është një zonë “me energji të lartë” për qentë, pasi aty ndodhin ngjarje të rëndësishme si daljet për shëtitje dhe kthimet në shtëpi.
Kur këto rutina ndryshojnë, qentë mund të duken të hutuar apo të shqetësuar, duke treguar sa shumë varen nga këto modele të përditshme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)