Pas përplasjesh dhe incidenteve gjatë protestës së opozitës në Tiranë, reagimet institucionale janë përqendruar te dhuna ndaj efektivëve të policisë dhe përfshirja e të miturve në këto akte. Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, vizitoi në Spitalin e Traumës punonjësit e Policisë së Shtetit të lënduar gjatë protestës.
Gjatë vizitës, ai dënoi ashpër sulmet ndaj uniformave blu, duke theksuar se përdorimi i molotovëve dhe mjeteve të tjera të rrezikshme ndaj efektivëve që ishin në krye të detyrës është i papranueshëm. “Sulmet ndaj uniformës së shtetit janë të patolerueshme”, u shpreh ministri, duke nënvizuar se policia ishte në shërbim të qytetarëve dhe institucioneve.
Lamallari ngriti gjithashtu shqetësimin për përfshirjen e të miturve në akte dhune, duke e cilësuar këtë si një formë të rëndë manipulimi. Ai theksoi se përdorimi i tyre për të ndezur molotovë apo për të hedhur fishekzjarre përbën shkelje serioze ligjore dhe përgjegjësi penale për organizatorët.
“Mjerim i madh e pabesi të vësh përpara të miturit… kjo nuk është protestë, por akt i pastër manipulimi dhe shfrytëzim kriminal i të miturve”, deklaroi ai.
Ministri paralajmëroi se autorët dhe nxitësit e dhunës do të mbajnë përgjegjësi, duke theksuar se institucionet do të vijojnë të mbrojnë ligjin, rendin dhe sigurinë e qytetarëve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)