Pas tensioneve të shënuara gjatë protestës së opozitës në Tiranë, Policia e Shtetit ka bërë bilancin paraprak, duke njoftuar për disa efektivë të lënduar si pasojë e molotovëve.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë tubimit të organizuar nga Partia Demokratike, i cili në disa momente u përshkallëzua në akte dhune, janë lënduar 6 punonjës policie. Të dëmtuarit janë efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Policisë Rrugore.
Ata janë transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku po marrin trajtimin e nevojshëm. Sipas autoriteteve, gjendja e tyre është e stabilizuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia bën me dije se gjatë protestës u janë drejtuar vazhdimisht thirrje pjesëmarrësve për të shmangur dhunën dhe përdorimin e mjeteve të rrezikshme, si bomba molotov dhe lëndë piroteknike, por një pjesë e protestuesve kanë sulmuar efektivët në terren.
Në deklaratë theksohet se strukturat e rendit kishin marrë masa për garantimin e sigurisë dhe për mbarëvajtjen e protestës, ndërsa dënohen ashpër aktet e dhunës ndaj policisë dhe institucioneve shtetërore.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)