Dëm buxhetit të Kosovës me shpronësimin e pronave, i dyshuar edhe ish-ministri Ismajli

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar paraburgimin e shtatë personave, përfshirë ish-ministrin Fadil Ismajli, nën dyshimet për një skemë të organizuar korrupsioni që dyshohet se i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit përmes kompensimeve të paligjshme të pronave të

20.12.2025. 16:52

Dëm buxhetit të Kosovës me shpronësimin e pronave, i dyshuar edhe ish-ministri Ismajli

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar paraburgimin e shtatë personave, përfshirë ish-ministrin Fadil Ismajli, nën dyshimet për një skemë të organizuar korrupsioni që dyshohet se i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit përmes kompensimeve të paligjshme të pronave të shpronësuara.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka intensifikuar luftën kundër korrupsionit duke dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj shtatë personave të dyshuar për përfshirje në një skemë të organizuar keqpërdorimi me kompensimet e pronave të shpronësuara. Në mesin e të dyshuarve janë ish-ministri Fadil Ismajli, një gjyqtar, një avokate dhe disa zyrtarë e individë të tjerë, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ryshfet, ushtrim ndikimi dhe deklarime të rreme.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, grupi dyshohet se ka ndërtuar një mekanizëm të mirëorganizuar për përfitime të kundërligjshme, duke shfrytëzuar procedurat e shpronësimit. Avokatja Mirlinda Bllata-Dibrani, sipas pretendimeve, ka paraqitur ankesa jashtë afateve ligjore për prona që tashmë ishin kompensuar, ndërsa pagesat e realizuara nga thesari i shtetit janë shpërndarë më pas mes anëtarëve të rrjetit sipas marrëveshjeve paraprake.

Prokuroria pretendon se ish-ministri Fadil Ismajli ka luajtur rol kyç si ndërmjetës, duke koordinuar transferimin e shumave që kapin qindra mijëra euro, ndërsa pjesë të parave u janë dhënë gjyqtarit Jovica Mitroviq dhe përfaqësuesve të Avokaturës Shtetërore. Hetimet kanë zbuluar ndarje të strukturuar të përfitimeve, me prova që përfshijnë monitorime të fshehta, sekuestrim dokumentesh dhe kapje në flagrancë të disa prej të dyshuarve.

Prokuroria vlerëson se paraburgimi është i domosdoshëm për të parandaluar arratisjen, ndikimin në dëshmitarë dhe asgjësimin e provave, ndërsa rasti shihet si një goditje serioze ndaj korrupsionit që ka dëmtuar rëndë buxhetin dhe besimin publik në institucionet e Kosovës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)