Autoritetet shëndetësore të Kosovës bëjnë të ditur se ka ndërruar jetë edhe një prej të plagosurave me armë zjarri në Podujevë të dielën.
"Në orët e vona të mbrëmjes, në Qendrën Emergjente janë pranuar dy paciente të gjinisë femërore, njëra e lindur në vitin 1953 dhe tjetra e lindur në vitin 1995 , të sjella me autoambulancë nga Podujeva, si pasojë e lëndimeve të marra nga arma e zjarrit.
Menjëherë pas pranimit, janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme emergjente. Të dy pacientet janë pranuar në gjendje shumë të rëndë dhe jo stabile, dhe janë intubuar me frymëmarrje të asistuar.
Njëra nga pacientet është dërguar në sallën operative, ku ekipet e Neurokirurgjisë dhe Anestezionit janë duke vazhduar trajtimin intensiv.
Pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor, pacientja e lindur në vitin 1953 ka ndërruar jetë në orën 03:00 pas mesnate.
Gjendja e pacientes tjetër mbetet shumë e rëndë dhe po vazhdon trajtimi intensiv nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor", njoftoi Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, një burrë është gjetur pa shenja jete brenda një veture të parkuar jashtë një shtëpie. Ndërkohë, brenda shtëpisë janë gjetur dy gra të plagosura me armë zjarri, njëra prej të cilave ka ndërruar jetë disa orë më vonë në QKUK, ku ishte duke marrë trajtim mjekësor.
Policia bën të ditur se fillimisht ka pranuar informacion për një person të pajetë në një veturë në këtë fshat. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore përkatëse, hetuesit dhe forenzika, si dhe janë njoftuar prokurori kompetent dhe ekipet mjekësore.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)