Në mbledhjen e fundme të Qeverisë në Maqedoninë e Veriut, Bekim Sali nga koalicioni VLEN është emëruar Zëvendëskryeministër i Parë, duke marrë detyrën në vend të Izet Mexhitit, i cili u zgjodh kryetar i Komunës së Çairit.
Sali tha përmes një statusi në Facebook se ky emërim nuk është thjesht një funksion, por një përgjegjësi morale dhe kombëtare për t’u shërbyer qytetarëve dhe për të realizuar projekte jetike për vendin.
“Me ndjenjë të thellë përgjegjësie dhe përulësie, kam nderin t’ju njoftoj se në seancën e sotme të Qeverisë jam emëruar në pozitën e Zëvendëskryeministrit të Parë.
Ky emërim për mua nuk është thjesht një funksion apo titull. Është një barrë e madhe besimi, një obligim moral dhe kombëtar për të qenë në shërbim të secilit qytetar, pa dallim, deri në realizimin e plotë të projekteve që janë jetike për të gjithë qytetarët.
Kjo qeveri, për gati dy vjet, ka dëshmuar se kur ka vullnet dhe përkushtim, ka edhe rezultate. Punësimi dhe avancimi i mijëra të rinjve e të rejave, ndarja e mjeteve për ndërtimin e Kampusit të Universitetit “Nënë Tereza”, mbështetja financiare për çdo komunë, zgjidhja e çështjes së Medresesë, rritja dhe zhvillimi ekonomik – janë vepra konkrete që flasin më shumë se fjalët.
Por, rruga përpara nesh është ende e gjatë. Kemi shumë projekte për të realizuar dhe sfida për të përballuar. Koha nuk pret. Prandaj do të punojmë me zell, përkushtim dhe motiv të lartë, që çdo premtim i dhënë para qytetarëve të shndërrohet në punë konkrete dhe rezultate të prekshme.
Me besim në Zotin, në njerëzit tanë dhe në të ardhmen që po ndërtojmë së bashku, uroj që puna jonë të jetë e mbarë dhe që në fund të kësaj rruge të dalim faqebardhë para qytetarëve dhe para historisë”, shkruan Sali.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)