SPAK e heton për afera me tenderat, Karçanaj delegon kompetencat për drejtimin e AKSHI-t

Drejtuesja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj e cila po hetohet nga SPAK për disa procedura tenderuese të dyshuara si korruptive dhe aktualisht ndodhet nën masën e sigurisë "arrest në shtëpi", me një vendim të marrë këtë të martë ka deleguar drejtimin e institucionit te shefat e tre departamenteve.

23.12.2025. 12:07

SPAK e heton për afera me tenderat, Karçanaj delegon kompetencat për drejtimin e AKSHI-t

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, ka deleguar kompetencat drejtuese të institucionit, pasi vetë ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa SPAK vijon hetimet për aferat me tenderat për të cilat është e dyshuar ajo dhe disa vartës të saj.

Vendimi është marrë në mbështetje të legjislacionit në fuqi për administratën shtetërore, qeverisjen elektronike dhe prokurimin publik, si dhe të rregullores së brendshme të AKSHI-t.

Sipas urdhrit, kompetencat për zbatimin e detyrave dhe funksioneve të institucionit do të ushtrohen nga disa drejtues të lartë të agjencisë, ku rolin kryesor do ta ketë Romina Kostani, e cila mban funksionin e drejtoreshës së koordinimit të Agjendës Digjitale dhe Projekteve e-Gov me Fonde të Huaja.

Gjithashtu kompetencat janë deleguar edhe tek Drejtori i Monitorimit dhe Mbrojtjes Kibernetike për Sistemet dhe Infrastrukturat e-Gov, si dhe Drejtori i Infrastrukturës e-Gov.

Po ashtu, Sektori i Arkivës e Protokollit është ngarkuar për njoftimin zyrtar të këtij urdhri. Vendimi parashikon se urdhri hyn në fuqi menjëherë, duke garantuar vijimësinë e funksionimit të AKSHI-t dhe të projekteve digjitale në administratën publike, pavarësisht situatës ligjore të drejtueses së institucionit.

Hetimi gati njëvjeçar nga Prokuroria e Posaçme për AKSHI-n ka zbuluar ekzistencën e një grupi kriminal që vepronte për përcaktimin e fituesve të tenderave në AKSHI.

Në dosje përfshihet edhe dëshmia e një biznesmeni, i cili dyshohet se, për shkak të konkurrencës së paligjshme, ju hoq liria nga persona të veshur me jelekë me logo false të BKH-së dhe që, duke përdorur një automjet me logo policie, e kanë kanosur që të mos ankohej për parregullsitë në procedurat e tenderimit.

Prokuroria thekson se të dyshuarit u kanë kërkuar subjekteve pjesëmarrëse të heqin dorë nga ankimet, duke i hapur rrugë kompanive të paracaktuara. Sipas hetimeve, shqyrtimi i ankesave mund të sillte ndryshimin e renditjes së fituesve, çka do të rrëzonte skemat e dyshuara të manipulimit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)