Qeveria përgatit Amnisti Penale, Lamallari: 380 të dënuar do lirohen menjëherë nga burgjet

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, përmes një video-mesazhi komunikoi nismën e qeverisë shqiptare për një amnisti penale që do të konsistojë në lirimin e 380 të dënuarve në burgjet e vendit.

28.12.2025. 18:15

Qeveria përgatit Amnisti Penale, Lamallari: 380 të dënuar do lirohen menjëherë nga burgjet

Në prag të natës së ndërrimit të viteve, ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari ka prezantuar nismën e qeverisë shqiptare për një Amnisti Penale, e cila sipas tij do të konsistojë në lirimin e menjëhershëm nga burgjet të 380 të dënuarve.

Sipas Lamallarit, amnistia është pjesë e një politike penale moderne dhe një akt i mbështetur në humanizëm, drejtësi sociale dhe standarde europiane. Synimi i saj sipas Ministrit të Drejtësisë, është rehabilitimi i personave të dënuar, ulja e mbipopullimit në burgje dhe forcimi i sigurisë afatgjatë.

Nga zbatimi pritet po ashtu që rreth 900 të dënuar të tjerë të përfitojnë ulje dënimi, duke ulur popullimin në institucionet e vuajtjes së dënimit me afro 7%.

“Nga zbatimi i kësaj amnistie, sipas vlerësimeve paraprake të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rreth 380 persona do të përfitojnë lirim të menjëhershëm dhe rreth 900 të tjerë ulje dënimi. Numri real i përfituesve është edhe më i lartë, pasi përfshin edhe ata që përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale dhe masat alternative”, deklaroi ministri i Drejtësisë.

Ai shtoi se në kategoritë përfituese përfshihen të mitur, gra dhe persona të dënuar për vepra penale me rrezikshmëri të ulët shoqërore. Duke u ndalur te përjashtimet, Lamallari theksoi se amnistia nuk përfshin persona të dënuar për krime të rënda apo korrupsion, si dhe subjekte të hetuara nga SPAK dhe të gjykuara nga GJKKO.

“Sigurisht që nga kjo amnisti nuk mund të përfitojnë ata që kanë kryer krime të rënda, korrupsion apo vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Kurrsesi jo subjekte që janë hetuar nga SPAK dhe gjykuar nga GJKKO. Nuk ka amnisti selektive dhe as favorizime, por kritere ligjore të qarta dhe transparente. Kush e sheh amnistinë si dobësi, ngatërron ndëshkimin me drejtësinë”, u shpreh Lamallari.

Sipas ministrit, kjo amnisti nuk është një falje e shkeljes së ligjit, por një mundësi e dytë e dhënë me përgjegjësi për ata që mund të rehabilitohen dhe të rikthehen në shoqëri.

“Kjo nuk është një drejtësi për statistikë dhe as në kurriz të më të pamundurve. Ne besojmë në një drejtësi që nuk humbet kurrë humanizmin dhe që udhëhiqet nga standarde demokratike europiane të panegociueshme”, përfundoi Lamallari.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)