Paralajmërim për rrezik përmbytjesh në veri dhe jug të Shqipërisë

Rreshjet intensive do të ndikojnë në rritjen e niveleve të lumenjve, alarm në Shkodër, Lezhë, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër.

05.01.2026. 18:45

Paralajmërim për rrezik përmbytjesh në veri dhe jug të Shqipërisë

Paralajmërim për rrezik përmbytjesh në veri dhe jug të Shqipërisë

Instituti i Gjeoshkencave dha njoftimin për rrezik të shtuar nga përmbytjet në vend, si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë që priten pasditen e kësaj të hëne dhe gjatë së martës, më 6 janar, si në veri ashtu edhe jug të Shqipërisë.

Sipas IGJEO-s, në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër ekziston mundësia e vërshimeve të shpejta të lumenjve të vegjël malorë, si dhe e rrëshqitjeve të dherave. Në zonat urbane të këtyre qarqeve mund të shfaqen gjithashtu përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së rrjeteve të kanalizimeve.

Bazuar në llogaritjet hidrologjike, sipas Institutit reshjet intensive pritet të vazhdojnë deri të enjten, më 8 janar.

Njoftimi nga Instituti i Gjeoshkencave:

PARASHIKIMI I RREZIKUT NGA PËRMBYTJET

Sot pasdite (e hënë, dt. 05) dhe nesër (e martë, dt. 06) priten reshje me intensitet të lartë kryesisht në veri dhe jug të vendit. Në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjëndjes së kanalizimeve.

Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë të rëna gjatë ditëve të kaluara, të cilat do të vazhdojnë deri ditën e Enjte dt.08 Janar, do të ketë rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Drin-Buna, Liqeni Shkodrës, lumi Mat, Shkumbin dhe Vjosë.

Lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë rrezik të shtuar për përmbytje me prurje dhe nivele të larta në vazhdim të ditës së sotme dhe të nesërme.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)