Shqipëria nën ujë, përmbytjet shkaktojnë dëme, ndërpritet energjia, pezullohet dhe mësimi

Shqipëria është zgjuar nën pushtetin e ujit këtë të martë si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Problematika janë raportuar nga veriu në jug, me rrugë të bllokuara, ndërprerje të energjisë dhe pezullimit të mësimit në disa shkolla.

06.01.2026. 11:29

Shqipëria nën ujë, përmbytjet shkaktojnë dëme, ndërpritet energjia, pezullohet dhe mësimi

E marta e ka gjetur një pjesë të Shqipërisë nën pushtetin e ujit, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që ka përfshirë pjesën më të madhe të vendit, duke filluar prej pasdites së të hënës.

Situata e parë problematike u raportua në Durrës, atje ku reshjet bllokuan kryqëzimet kryesore në qytet, teksa uji hyri në apartamente dhe biznese.

Autoritetet pezulluan mësimin në shkolla e çerdhe, teksa një familje u evakuua, pasi banesa e tyre u bë e pabanueshme.

Rruga interurbane Tiranë-Durrës ka prezencë të lartë të ujit në të dyja anët e lëvizjes, gjë që ka detyruar policinë të devijojë lëvizjen e automjeteve që vijnë nga jugu në drejtim të Tiranës, të qarkullojnë nga Rruga e Plepave për në Ndroq dhe nga rruga Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë.

Prezencë të madhe uji ka pasur dhe në zonën e Kënetës dhe Spitallë.

Në Lezhë, prezenca e ujit arriti në 40 cm në disa zona të qytetit duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve dhe të këmbësoreve.

Situata ka krijuar shqetësim për banorët e zonës në lagjen Besëlidhja, ndërkohë që edhe këtu është pezulluar procesi mësimor në shkollat 9-vjeçare “Kosova” dhe "Gjergj Fishta". Në ujë raportohet të jetë dhe shëtitorja kryesore e qytetit.

Problematika ka pasur dhe në Shkodër, sidomos në zonat e thella, ku lumenjtë kanë shtuar prurjet, por fatmirësisht janë ende brenda shtretërve të tyre.

Në Malësinë e Madhe, vijojnë reshjet e shiut me intensitet mesatar. Fshati Flakë vijon të jetë i bllokuar si pasojë e prurjeve të Përroit. Furnizimi me energji elektrike paraqitet problematik, kryesisht në Kelmend e Shkrel.

Në Vaun e Dejës, lumi Gjadër ka dalë nga nga shtrati, duke shkaktuar rritje të nivelit të ujit në lagjen “Kapedani”.

Në Fushë-Arrëz ka shkarje dherash dhe rënie gurësh në disa rrugë rurale.

Kurbini ka pasur probleme me ujin në fshatin Adriatik, ku disa hektarë tokë janë përmbytur si dhe disa banesa janë të rrethuara nga uji. Në fshatin Fushë Mamurras është ndërprerë mësimi.

Nga HEC-et e Komanit dhe Vaut të Dejës ka nisur shkarkimi i kontrolluar i ujit, për të shmangur një përkeqësim të situatës, duke qenë se parashikimet janë që reshjet do të vijojnë edhe për disa orë.

Fatmirësisht, nga këto shkarkime nuk raportohet për dëme apo përmbytje, teksa i gjithë procesi po monitorohet nga ekspertët.

Në Kukës, situata më problematike është konstatuar në akset rrugore nacionale të Bashkisë Tropojë, konkretisht në rrugën Bajram Curri-Valbonë, ku janë regjistruar rënie gurësh dhe vërshime uji në disa segmente të saj.

Reshje të dendura raportohen dhe në qarkun e Vlorës, ku raportohet dhe një aksident rrugor nga moti i keq. Mësohet se një makinë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanalin e Siavit, fatmirësisht pa fatalitete.

Situata pritet të vijojë të jetë problematike edhe në orët në vijim pasi parashikimet janë që reshjet e shiut do të vijojnë. Autoritetet iu bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)