Moti i keq ka goditur rëndë qarkun e Shkodrës, duke shkaktuar përmbytje në disa fshatra, por edhe rrugë të bllokuara e probleme me qarkullimin. Nga raportimet e fundit rezulton se fshati Obot është më i prekuri, pasi niveli i ujit ka arritur në rreth 40 centimetër.
Po ashtu në Bushat raportohet për 15 familje të bllokuara, por ende nuk ka informacion për një operacion të mundshëm evakuimi.
Në Bashkinë Shkodër, reshjet e shiut kanë pushuar prej disa orësh, por në disa zona vijon të ketë prezencë uji. Problem më i theksuar paraqitet në rrugën kryesore të Obotit, ku niveli i ujit arrin 30–40 cm, duke lejuar kalimin vetëm për automjete të larta. Po ashtu, disa oborre banesash dhe sipërfaqe toke bujqësore mbeten të përmbytura. Grupet e punës janë në terren dhe po monitorojnë nga afër zonat me risk të lartë.
Në Bashkinë Vau Dejës, reshjet e orëve të natës kanë sjellë rritje të prurjeve në lumenj, megjithatë përroi i Glinës dhe ai i Gjadrit kanë shënuar rënie të nivelit të ujit. Në Njësinë Administrative Bushat, në fshatrat Mal i Jushit dhe Hoten, rreth 15 familje janë të bllokuara për shkak të pranisë së ujit, ndërsa strukturat vendore ndodhen në gatishmëri dhe ndjekin situatën në mënyrë të vazhdueshme.
Në Bashkinë Malësi e Madhe, reshjet gjatë natës kanë qenë me intensitet të ulët dhe nuk raportohen problematika. Në fshatin Kamicë, përroi i thatë është larguar nga rruga dhe nuk paraqet rrezik për qarkullimin.
Në Bashkinë Fushë-Arrëz, megjithëse reshjet kanë qenë të pakta, prania e ujit dhe rrëshqitjet e dherave në disa akse auto-rurale kanë kërkuar ndërhyrje. Rrugët mbeten të hapura dhe po punohet për rikthimin e situatës në normalitet.
Ndërkohë, në Bashkinë Pukë vijojnë reshje intensive shiu të shoqëruara me erë të fortë, por deri më tani nuk janë raportuar emergjenca civile. Situata po monitorohet nga strukturat përkatëse.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit në Lezhë, niveli i ujit në Urën e Bunës është 1.80 metra, niveli i Liqenit të Shkodrës ndodhet në kuotën 7.7 metra, ndërsa në Dajç është 6.2 metra.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të bashkëpunojnë me strukturat e Emergjencave Civile për çdo situatë të mundshme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)