LIVE- Përmbytje, evakuime dhe aksidente, Shqipëria "nën pushtetin e ujit"

Prej ditësh tashmë për shkak të motit të keq dhe reshjeve të dendura zona të tëra në vend janë prekur nga përmbytjet. Emergjencat Civile dhe strukturat e bashkive në Vlorë, Fier dhe Durrës kanë nisur sakaq operacione evakuuimi në zona me risk të lartë si Novosela, Ferrasi, Sukthi dhe Katundi i Ri.

08.01.2026. 15:07

LIVE- Përmbytje, evakuime dhe aksidente, Shqipëria "nën pushtetin e ujit"

Prej ditësh tashmë për shkak të motit të keq dhe reshjeve të dendura zona të tëra në vend janë prekur nga përmbytjet. 

Novosela është zona ku sot u vendos gjendje emergjente duke evakuuar banorët me gomone. Situata vijon të monitorohet në të gjithë vendin, teksa reshjet do të vijojnë dhe në ditët e ardhshme.

Këtë të enjte reshje bore janë shfaqur dhe në zona më të ulta në vend, teksa të premten kryeministri Edi Rama do të mbledhë që në mëngjes Komitetin e Emergjencave.

Bllokohet fuoristrada me 3 persona në mes të dëborës në Gramsh, humbin kontaktet

Një automjet tip fuoristradë me tre persona brenda ka mbetur i bllokuar mes dëborës në aksin rrugor Kukur-Rovje, në zonën malore të Gramshit. Trashësia e dëborës në këtë segment arrin mbi 60 centimetra, duke e bërë rrugën plotësisht të pakalueshme.

Personat e bllokuar janë banorë të zonës, të cilët po ktheheshin nga puna e përditshme në fshatin Kukur drejt banesave të tyre në fshatin Rovje. Reshjet e dendura të borës kanë nisur që në orët e para të mëngjesit dhe po vijojnë me intensitet të lartë, duke përkeqësuar ndjeshëm situatën.

Prej më shumë se dy orësh, me personat e bllokuar nuk ka asnjë kontakt, çka ka rritur frikën për gjendjen e tyre shëndetësore.

Të alarmuar, banorë të fshatrave përreth janë nisur në këmbë për t’i kërkuar dhe për t’u ardhur në ndihmë, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike dhe borës së thellë. Situata paraqitet edhe më kritike për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe bllokimit të rrugëve që prej orëve të para të mëngjesit.

Pas marrjes së njoftimit, Shërbimi Zjarrfikës i Gramshit ka nisur menjëherë ekipet e shpëtimit drejt zonës. Drejtori i këtij shërbimi, Ilir Llapushi, bëri me dije se për shkak të trashësisë së madhe të dëborës, mjetet nuk mund të avancojnë dhe ekipet po vijojnë operacionin në këmbë.

Durrësi nën ujë, qytetarët ngrihen në protesta

Përmbytjet e mëdha që kanë goditur Durrësin kanë shkaktuar revoltë mes qytetarëve, të cilët mbrëmjen e sotme dolën në protestë duke akuzuar institucionet për neglizhencë dhe korrupsion. Dhjetëra banorë u mblodhën në sheshin kryesor të qytetit, ku shprehën zemërimin për dëmet e shumta materiale dhe situatën e rënduar në disa zona të banuara.

Sipas protestuesve, përmbytjet e këtyre përmasave nuk janë parë më parë në qytet. Ata theksuan se zona si Plazhi, Shkozeti, Spitalla, lagjja nr. 1 dhe ish-Këneta janë mbuluar nga uji, ndërsa fajësuan drejtuesit lokalë dhe qendrorë për mungesë investimesh dhe menaxhim të dobët të infrastrukturës.

“Prej 30 vitesh nuk kemi parë kurrë përmbytje kaq të mëdha në Durrës. U mbyt gjithçka, nga Plazhi te Shkozeti e Spitalla. Për Velierën kush mban përgjegjësi?”, u shpreh një qytetar gjatë protestës, duke kërkuar llogaridhënie nga autoritetet.

Shqipëria e përmbytur, Rama mbledh nesër “Emergjencat” dhe kabinetin qeveritar

Duke nisur nga ora 8:30 e mëngjesit të së premtes, kryeministri Edi Rama do të mbledhë Komitetin Ndërqeveritar të Emergjencave në selinë e qeverisë, me fokusin tek situata e krijuar nga përmbytjet dhe reshjet e dëborës që kanë prekur disa zona të vendit.

Zv/kryeministrja Belinda Balluku e paralajmëroi zhvillimin e kësaj mbledhjeje nga Novosela, ku u gjend në nisje të procesit të evakuimit të banorëve nga strukturat e Emergjencave Civile dhe Bashkisë së Vlorës. Balluku po ashtu tha se qeveria po përgatit një paketë dëmshpërblimi për dëmet e shkaktuara në banesa dhe në sektorin e bujqësisë.

Menaxhimi i emergjencës nga përmbytjet mbetet sfida kryesore e qeverisë në këto ditë, ndaj edhe diskutimet do të përqendrohen te ndërhyrjet në terren, garantimi i sigurisë së qytetarëve dhe koordinimi i institucioneve për përballimin e situatës.

Pas mbledhjes së Komitetit Ndërqeveritar, Rama pritet të zhvillojë po të premten një tjetër takim pune në Pallatin e Brigadave me kabinetin qeveritar. Në këtë mbledhje, ministrat do të raportojnë mbi prioritetet dhe objektivat e secilit dikaster për vitin në vazhdim, si dhe mbi mënyrat më efektive për zbatimin e politikave publike.

Foto: LSA

Rama po ashtu një javë më vonë do të zhvillojë po në Pallatin e Brigadave një takim me grupin parlamentar të Partisë Socialiste, me fokus në koordinimin e punës së deputetëve dhe diskutimin e projektligjeve dhe nismave që qeveria do të çojë përpara gjatë këtij sesioni parlamentar.

Ndërkohë, opozita ka reaguar ndaj situatës, duke kërkuar përmes një dokumenti që ia ka dërguar kryetarit të Kuvendit, qeverisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore për qarqet e prekura nga përmbytjet, si Durrësi, Lezha, Elbasani, Shkodra, Gjirokastra, Vlora dhe Fieri.

Presidenti Begaj për situatën në vend: Banorët e prekur të evakuohen 

Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka reaguar lidhur me situatën e krijuar ditët e fundit për shkak të motit të keq. Ai ka kërkuar bashkëpunimin me autoritet të banorëve të zonave të prekura që të evakuohen.

"Presidenti i Republikës është në komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit e institucioneve qendrore dhe vendore, me Strukturat e Emergjencave Civile si dhe me Forcat e Armatosura, për përballimin e situatës së përmbytjeve. Kreu i Shtetit fton qytetarët të mirëkuptojnë dhe bashkëpunojnëme ta me qëllim që kjo situatë të kalojë me sa më pak pasoja. Presidenti i Republikës  fton në mënyrë të veçantë banot në zonat e përmbytura të ndjekin udhëzimet e strukturave përgjegjëse për evakuim të shpejtë dhe të sigurt. Në këto momente të vështira jeta e çdo qytetari është mbi gjithçka", thuhet në komunikatën e shpërndarë nga presidenca për mediat. 

Foto: LSA
Balluku: Qeveria po përgatit dëmshpërblim për familjet e prekura 
Pas disa kohësh mungesë në media, zv.kryeministrja Belinda Balluku është shfaqur në Novoselë përkrah ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vëngu dhe kreut të Emergjencave, aty ku situata nga moti i keq është rënduarndjeshëm, për shkak të daljes nga shtrati të lumit Vjosë.

Teksa iu kërkoi banorëve që të ndjekin me përpikëri të gjitha thirrjet e autoriteteve për evakuim, Balluku njoftoi se është gati paketa për dëmshpërblimin e familjeve dhe biznesve të prekura nga përmbytjet e cila do të shpallet në mbledhjen e nesërme të Komitetit të Emergjencave.

“Kryeministri është duke dizajnuar së bashku me ministrin e Financave një paketë e cila do të garantojë dëmshpërblimin si për pjesën bujqësore ashtu dhe për banesat. Nesër në 08:30 do ketë një mbledhje të Komitetit të Emergjencave Ndërqeveritar, ku do të bëhet edhe një adresim i kryeministrit jo vetëm për zgjidhen e situatës, por edhe dëmshpërblyet që janë të rëndësishme për familjet dhe bizneset e prekura.

Sistemi energjetik ka performuar maksimalisht, pavarësisht kushteve atmosferike shumë të vështira. Nuk kemi pasur ndërprerje të gjatë, por kanë qenë momentale. Në 24 orët e ardhshme presim erëra të fuqishme”, tha Balluku.

Foto: LSA

"Të shpallet fatkeqësia natyrore", Berisha thirrje banorëve të Novoselës të evakuohen 

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha u bën thirrje banorëve të Novoselës që të evakuohen. Në një konferencë për mediat, ai kërkoi sërish të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore nga ana e qeverisë.

"Situatë dramatike, tepër kërcënuese është në zonën e Novoselës ndaj dhe Bashkia e Vlorës ka kërkuar evakuimin. U bëj thirrje banorëve të evakuohen sa më parë sepse lumi Vjosa është një lumë me rrezikshmëri të pakrahasueshme me asnjë nga lumenjtë e tjerë të vendit në befasinë e prurjeve të tij. Ndaj dhe para kësaj situate, dënoj me forcën më të madhe këtë indiferencë çnjerëzore, moshpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, gjendje e cila ka tejkaluar, plotëson në këto rrethe të gjitha kriteret për t’u shpallur. Por kjo mosshpallje vjen për shkak se nuk duan t’i kompensojnë qytetarët për humbjet e tyre. Sepse shpallja e gjendjes së fatkeqësisë detyron qeverinë të kompensojë të gjitha dëmtimet e krijuara nga fatkeqësia", tha ai. 

Foto: LSA

Regjistrohet viktima e parë nga moti i keq në vend

Është regjistruar në Durrës viktima e parë si pasojë e motit të keq në vend.

Sipas të dhënave paraprake, ka humbur jetën si pasojë e përmbytjeve 54 vjeçari Astrit Hysenaj.

Trupi i pajetë i Hysenajt u gjet në një kanal në zonën e ish-Repartit Ushtarak në Plepa. Paraprakisht, dyshohet se 54 vjeçari u mor nga rrjedha.

Viktima, punonjës i ndërmarrjes Komunale për zonën e Plazhit, u gjet pas kërkimeve të kryera nga shërbimet e Policisë dhe nga polumbarët e Reneas.

Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po punon në drejtimin e Prokurorisë, për të sqaruar dhe dokumentuar rrethanat e rastit.

Durrësi prej ditësh ndodhet nën pushtetin e ujit me situatë alarmante në disa  zona. Pak më parë një kallëzim u depozituar në SPAK nga opozita në drejtim të kryetares së Bashkisë Emirjana Sako, për shpërdorim detyre.

Foto: Newsmax Balkans

Punonjësi i komunales u gjet i vdekur në kanalin me ujë, reagon Bashkia Durrës

Bashkia e Durrësit përmes një njoftimi për mediat ka reaguar në lidhje me vdekjen e punonjësit të Ndërmarrjes Komunale në zonën e Plazhit, Astrit Hysenaj, i cili u gjet i pajetë nga polumbarët në një kanal me ujë.

54-vjeçari, i cili rezultonte i zhdukur dyshohet se humbi jetës për shkak të motit të keq.

Bashkia e Durrësit sqaron se Hysenaj “më datë 06.01.2026, është paraqitur normalisht në vendin e punës në orën 06:00 dhe ka ushtruar detyrën deri rreth orës 10:30, kohë në të cilën është larguar nga ambientet e punë”.

“Rreth orës 16:00 të së njëjtës datë, familjarët e z. Hysenaj kanë kontaktuar përgjegjësin e Ndërmarrjes Komunale Plazh për të marrë informacion, pasi ai nuk ishte kthyer në banesë. Përgjegjësi i ndërmarrjes i ka informuar familjarët se punonjësi ishte larguar nga puna rreth orës 10:30. Më pas, familjarët kanë njoftuar Policinë e Shtetit”, bëhet me dije më tej.

Pas denoncimit nga familja, policia e Durrësit kishte nisur punën për gjetjen e 54-vjeçarit. Trupi i pajetë i tij u lokalizua mesditën e sotme në një kanal në zonën e ish-Repartit Ushtarak në Plepa dhe dyshohet se Hysenaj është marrë nga rrjedha e ujit.

Moti i keq, anija cisternë bllokohet në bregun e Tales 


Një anije cisternë ka mbetur e bllokuar në orët e para të mëngjesit pranë brigjeve të Tales në Lezhë, si pasojë e motit të keq dhe detit të trazuar.

Sipas raportimeve nga vendngjarja, anije me flamur të Tanzanisë kishte dalë nga porti i Durrësit dhe gjatë manovrimit ka hasur në cekëtinë, duke mbetur e bllokuar.

Anëtarë të ekuipazhit kanë kërkuar ndihmë pasi anija ndodhet në pozicion të keq dhe mund të mbetet e bllokuar ose mund të përmbyset si pasojë e dallgëve. 

Foto: LSA

 Rëndohet situata nga reshjet, urdhër evakuimi për 4 zona në Vlorë, Fier dhe Durrës 

Ministria e Mbrojtjes ka nxjerrë një urdhër evakuimi për banorët e tre njësive Administrative në Vlorë, Fier dhe Durrës pasi ka rrezik të lartë për përmbytje.

Lumi Vjosa ka kaluar nivelin e 9 metrave lartësi duke shkaktuar bllokimin e një rruge hyrëse në territorin e Bashkisë Selenicë, si dhe rrezikon përmbytjen e banesave në Novoselë dhe Ferras. 

Borë dhe mjegull, Policia e shtetit apelon për kujdes drejtuesit e mjeteve 

Policia e shtetit apelon për kujdes për drejtuesit e mjeteve për shkak të borës dhe mjegullës në disa akse rrugore, si dhe situatës së krijuar si pasojë e reshjeve të dendura. 

Policia bën të ditur se akset rrugore malore në Shkodër, Kukës, Korçë, Gjirokastër, Dibër, Rruga e Arbrit, ajo e Kombit dhe Llogaraja kanë prezencë dëbore në rrugë.

Foto: Newsmax Balkans

Deti 6 ballë, pezullohet lundrimi i tragetit Sarandë-Korfuz 

Moti i keq dhe deti i trazuar ka detyruar autoritetet e Kapitanerisë së Sarandës që të pezullojnë për sot lundrimet për në Korfuz dhe anasjelltas me linjën e tragetit.

Në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të Kapitanerisë mësohet se forca e detit ka arritur deri në 6 ballë dhe për këtë arsye, nuk lejohen të dalin në det të hapur as anijet e vogla të peshkimit.

Autoritetet bëjnë që të respektohen udhëzimet dhe të ndiqen njoftimet zyrtare për përditësime të mëtejshme.

Të njëjtin paralajmërim për mjetet e vogla të lundrimit nxori dhe Kapitaneria e Vlorës, e cila sqaroi se situata pritet të përmirësohet vetëm pas datës 11 janar. 

Foto: Web

Bllokohet rruga hyrëse për në Selenicë, lumi Vjosa del nga shtrati në disa pika 

Situata nga moti i keq në vend është rënduar pas reshjeve të dendura të shiut që kanë rëndë gjatë mbrëmjes së të mërkurës. Situata paraqitet kritike në disa qytete përgjatë të cilave kalon lumi Vjosë, në jug të vendit.

Bashkia Selenicë përmes një njoftimi në Facebook bën me dije se është bllokuar plotësisht një aks rrugor që shërben për hyrjen në qytet.

“Për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe daljes nga shtrati të Lumit Vjose , rruga “Te Bishti i Malit” është aktualisht e pakalueshme. U bëjmë thirrje të gjithë banorëve dhe drejtuesve të automjeteve që të mos përdorin këtë aks rrugor dhe të ndjekin rrugët alternative për të udhëtuar drejt Selenicës dhe fshatrave te tjerë Strukturat përkatëse të Bashkisë Selenicë janë në ndjekje të situatës”, thuhet në postimin e Bashkisë Selenicë.

Foto: Facebook/Pirro Vengu

Lumi Vjosa ka dalë nga shtrati në disa segmente, pasi edhe në Vlorë raportohet për të paktën 100 hektarë tokë të përmbytura, 13 familje janë evakuuara, ndërsa rrezikohen edhe disa fshatra nga prurjet e konsiderueshme të ujit.

Vjosa ka shkaktuar dëme edhe në territorin e Bashkisë Fier, ku 27 banesa në fshatin Ferras janë zgjuar nën pushtetin e ujit. Po ashtu sipërfaqe të tëra tokash bujqësore i janë nënshtruar “pushtetit” të lumit, ndërsa banorët e këtyre zonave kanë nxituar të largojnë bagëtitë dhe mjetet e tyre bujqësore.

Në këtë zonë raportohet se kolektori i Martinës ka arritur kuotën maksimale dhe nëse del nga shtrati rrezikon përmbytjen e banesave të 160 familjeve. 

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)