Fermerët grekë sërish në protestë, bllokohet aksi Kakavijë-Janinë

Fermerët grekë rikthehen sërish në protestë, duke bllokuar mesditën e sotme aksin Kakavijë-Janinë, një nga pikat kryesore të kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Greqisë.

15.01.2026. 10:05

Fermerët grekë sërish në protestë, bllokohet aksi Kakavijë-Janinë

Aksi rrugor Kakavijë-Janinë do të bllokohet edhe mesditën e sotme për shkak të protestave të fermerëve në territorin grek, duke shkaktuar pezullim të qarkullimit në një nga pikat kryesore kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Sipas njoftimit zyrtar, Policia Kufitare Kakavijë është informuar nga Policia Kufitare Greke, përmes qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit, se nga ora 12:30 (me orën greke) dhe deri në një njoftim të dytë, qarkullimi në aksin Kakavijë-Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës së fermerëve.

Autoritetet bëjnë me dije se do të lejohen të kalojnë vetëm automjetet me emergjenca shëndetësore, ndërsa mjetet e tjera nuk do të lejohen të qarkullojnë.

Policia Kufitare Kakavijë u bën thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe i këshillon që të planifikojnë udhëtimet në orare të tjera të ditës ose të përdorin pika alternative kalimi, deri në normalizimin e situatës.

Kjo nuk është hera e parë që fermerët grekë bllokojnë këtë aks, pasi protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe në të kaluarën, duke sjellë vonesa dhe vështirësi për udhëtarët dhe transportin ndërkufitar.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)