Trafik në Maliq-Gramsh, sërish radhë të gjata në pritje

Janë rikthyer radhët në aksin Maliq-Gramsh, i cili po përdoret si rrugë alternative për të udhëtuar drejt Korçës dhe anasjelltas.

25.02.2026. 17:01

Trafik në Maliq-Gramsh, sërish radhë të gjata në pritje

Duket se problematika për të udhëtuar drejt juglindjes së vendit dhe anasjelltas do të zgjasë me muaj të tërë, pasi autoritetet nuk kanë dhënë një afat se kur do të rihapet aksin Librazhd-Prrenjas, për të cilin është menduar që të ndërtohet një segment i ri në vendin e njohur si Arrat e Gurrës, ku tashmë po demontohet dhe ura që ka rrëshqitur.

Për momentin trafiku është drejtuar për në aksin e vjetër Maliq-Gramsh, i cili përveçse është i amortizuar, kthesat e shumta dhe maloret e bëjnë qarkullimin të ngadaltë.

Radhë të gjata janë rikthyer këtë të mërkurë në këtë aks alternativë për të shkuar drejt Korçës, ku momentalisht lejohet vetëm kalimi i mjeteve të vogla.

Qytetarët vijojnë të presin me makina ndezur për të lëvizur pak metra për minuta të tëra edhe pse patrulla të shtuara policie ndodhet në zonë për të drejtuar trafikun dhe për të mos lejuar qarkullimin e mjeteve të rënda, që ashtu si në fundjavë do ta bllokonin totalisht lëvizjen.

Përveç trafikut, qytetarëve tashmë iu janë shtuar dhe kilometrat për të udhëtuar, teksa kanë një thirrje drejtuar autoriteteve që “të luajnë duart” për të zgjidhur këtë situatë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)