Rritja e çmimit të karburanteve, Ibrahimaj paralajmëron rikthimin e Bordit të Transparencës

Rritja e çmimeve të karburanteve në tregjet ndërkombëtare, e nxitur nga tensionet dhe lufta në Lindjen e Mesme, ka vënë në lëvizje edhe qeverinë.

11.03.2026. 13:39

Rritja e çmimit të karburanteve, Ibrahimaj paralajmëron rikthimin e Bordit të Transparencës

Rritja e çmimeve të karburanteve në tregjet ndërkombëtare, e nxitur nga tensionet dhe lufta në Lindjen e Mesme, ka vënë në lëvizje edhe qeverinë. Autoritetet paralajmërojnë monitorim të përditshëm të tregut për të shmangur abuzimet me çmimet në vend.

Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se është ngritur një Task-Forcë që do të kontrollojë çdo ditë ecurinë e çmimeve të karburanteve, nga importi deri te shitja për konsumatorët.

Sipas saj, qeveria ka zhvilluar një takim edhe me kompanitë e tregtimit të karburanteve dhe me Shoqata e Hidrokarbureve për të diskutuar mbi situatën dhe për të kërkuar respektimin e detyrimeve që kanë për rezervat.

“Kemi zhvilluar një takim me kompanitë dhe Shoqatën e Hidrokarbureve për të ngritur alarmin për rritjen e çmimeve javët e fundit, të ndikuar nga lufta. Jemi duke monitoruar qoftë çmimet e bursës për naftën, benzinën dhe gazin, qoftë çmimin me të cilin karburanti del nga dogana dhe më pas çmimin e tabelave në treg,” tha Ibrahimaj.

Ministrja theksoi se aktualisht situata nuk është në nivelin e krijimit të Bordi i Transparencës, i cili gjatë krizës së viteve 2022-2023 përcaktonte edhe çmimin e shitjes së karburanteve.

Megjithatë, ajo paralajmëroi se nëse çmimet do të vijojnë të rriten ose do të konstatohen abuzime në treg, qeveria mund të rikthejë këtë mekanizëm kontrolli.

“Gjykojmë që situata nuk është në nivelin e ngritjes së bordit, por nëse do ketë rritje të mëtejshme do të futemi në atë regjim,” deklaroi Ibrahimaj.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)