Ambasada amerikane në Tiranë paralajmëron se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë në Shqipëri subjekte të lidhura me SHBA-në, si dhe opozitën iraniane.
"Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar", thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA.
Që kur nisën sulmet para vetë opozita iraniane që ndodhet në Ashraf 3 në Manzë reagoi duke i cilësuar si propagandë raportimet për një sulm të mundshëm me raketa ndaj këtij kampi.
“Lajmet e publikuara nga Irani për mundësinë e një sulmi me raketa ndaj Ashraf 3 dhe mbulimi i tyre në disa media shqiptare janë thjesht propagandë e orkestruar nga regjimi iranian. Kjo po bëhet për qëllime lufte psikologjike, me qëllim krijimin e shqetësimit dhe kaosit në Shqipëri. Këto pretendime nuk kanë bazë dhe nuk bazohen në asnjë fakt”, u shpreh zëdhënësi i kampit Ashraf.
Zëdhënësi shtoi më tej se kjo fushatë po zhvillohet në bashkëpunim me persona që ai i cilësoi si agjentë lokalë të Iranit në Shqipëri.
“Kjo luftë propagande po kryhet në koordinim të ngushtë midis regjimit iranian dhe agjentëve të tij lokalë në Shqipëri, pikërisht për të rritur rezonancën dhe përhapjen e saj sa më shumë të jetë e mundur”, tha ai.
Gjatë kësaj periudhë një valë sulmesh kibernetike kanë ndodhur në institucionet shqiptare, përfshi Kuvendin, Postën Shqiptare dhe së fundmi dhe Gjykatën e Lartë.
Mësohet se përgjegjësinë për sulmin në serverat e institucioneve e ka marrë grupi i hakerave iranianë, “Homeland Justice”.
Sulmi i radhës kibernetik vjen më pak se dy javë pasi kryeministri Edi Rama publikoi raportin e National Cyber Security Index, ku sipas tij Shqipëria renditet në vendin e 9-të në botë për sigurinë kibernetike me një rezultat prej 92.5 pikësh.
Kryeministri duke iu referuar raportit nënvizonte se Shqipëria vlerësohet për progresin në forcimin e strukturave përgjegjëse për sigurinë kibernetike, zhvillimin e politikave dhe strategjive kombëtare, si dhe për përmirësimin e mekanizmave të koordinimit dhe reagimit ndaj kërcënimeve në hapësirën digjitale.
Po ashtu dhjetë ditë më parë, Shtetet e Bashkuara njoftuan se kishin ndërmarrë një operacion të rëndësishëm kundër infrastrukturës kibernetike të lidhur me Iranin, duke sekuestruar katër faqe interneti të përdorura për sulme dhe operacione psikologjike.
Këto sulme raportohet të kenë qenë edhe institucionet e Shqipërisë. Departamenti Amerikan i Drejtësisë njoftoi se domenet e sekuestruara përfshinin edhe Justicehomeland[.]org, përveç Handala-Hack[.]to, Karmabeloë80[.]org dhe Handala-Redëanted[.]to, të cilat janë të gjitha të lidhura me Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit (MOIS).
Këto platforma janë përdorur për sulme kibernetike, shpërndarje të të dhënave të vjedhura dhe nxitje të dhunës ndaj kundërshtarëve të regjimit iranian. Sipas autoriteteve amerikane, këto faqe kanë shërbyer edhe si mjete për operacione psikologjike, duke përdorur të dhënat e vjedhura përmes hakerimit.
Hetimet e FBI-së zbuluan se rrjeti nuk kufizohej vetëm në publikime online. Një adresë e-maili e lidhur me këtë grup dërgonte edhe kërcënime direkte me vdekje ndaj gazetarëve dhe disidentëve iranianë në SHBA dhe vende të tjera.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)