Raporti i SPAK, Braho kërkon rritjen e pragut për hetimin e korrupsionit: 45.4 milionë euro të sekuestruara!

Kreu i SPAK Klodjan Braho ka nisur këtë paradite prezantimin e raportit vjetor të institucionit që drejton në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Ai ka falenderuar paraardhësin e tij Altin Dumani në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa ka kërkuar edhe disa ndryshime ligjore.

27.04.2026. 10:07

Raporti i SPAK, Braho kërkon rritjen e pragut për hetimin e korrupsionit: 45.4 milionë euro të sekuestruara!

Kreu i SPAK, Klodian Braho, prezantoi këtë të hënë për herë të parë që nga marrja e detyrës, një raport pune para Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Në një mbledhje që zgjati rreth një orë dhe ku u shoqërua nga drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta, Braho paraqiti bilancin vjetor të punës së institucionit për vitin 2025, kohë kur institucioni drejtohej nga paraardhësi i tij, Altin Dumani.

Sipas të dhënave të prezantuara, gjatë vitit 2025, SPAK regjistroi 294 procedime të reja penale, ndërsa numri i çështjeve të referuara nga Policia e Shtetit shënoi një rritje me 70%.

Në total, institucioni hetoi 871 procedime penale, ndërsa përfundoi hetimet për 216 çështje, duke ruajtur të njëjtin nivel me vitin paraardhës. Megjithëse u vu re një ulje e procedimeve të reja për krimin e organizuar, SPAK raportoi një rritje prej 3.4% të hetimeve dhe çështjeve të përfunduara në këtë fushë.

Një pjesë e rëndësishme e raportimit iu kushtua edhe goditjes së aseteve kriminale. Sipas Brahos, gjatë vitit 2025 janë sekuestruar dhe konfiskuar pasuri me vlerë totale 45.4 milionë euro. Nga kjo shumë, 12.4 milionë euro përbëjnë kriptovaluta të sekuestruara nga grupe kriminale.

Kreu i SPAK ngriti shqetësimin për mungesën e një mekanizmi shtetëror për administrimin e kriptovalutave të sekuestruara, duke kërkuar krijimin e një portofoli të posaçëm kombëtar për menaxhimin e tyre, një problematikë e ngritur më herët edhe nga ish-drejtuesi Dumani.

11:08 -  SPAK i kërcënuar nga politika? Braho: Nëse na cënojnë pavarësinë me drafte ligjore do ngremë zërin!

Retorika politike ndaj SPAK nuk përbën aktualisht një kërcënim të drejtpërdrejtë, sipas përgjigjes që kreu i SPAK, Klodian Braho u dha anëtareve të KLP gjatë raportimit të tij në për veprimtarinë e institucionit që drejton, gjatë vitit 2025.

Por, Braho paralajmëroi se situata do të bëhej shqetësuese nëse kjo retorikë do të konkretizohej në nisma ligjore që cenojnë pavarësinë dhe kompetencat e institucionit.

Ai theksoi se SPAK do të reagojë publikisht në rast se përballet me drafte apo projektligje që synojnë kufizimin e rolit të tij.

“Retorika politike nuk përbën në vetvete një kërcënim. Për të kuptuar se kur do jetë shqetësuese është kur do shënohet me një situatë të ndryshimeve ligjore që mund të ndryshojnë kompetencat dhe pavarësinë e institucionit dhe për momentin nuk ka një të tillë. Por retorika mund të shërbejë për të rritur agresivitetin ndaj SPAK. Nëse do hasemi me drafte dhe projekte ligjore do e bëjmë publik zërin tonë dhe këtë mendim apo shqetësim do ja përcjellim Këshillit të Lartë të Prokurorisë”, deklaroi Braho.

Ai shtoi gjithashtu se një ndër sfidat kryesore të punës së SPAK mbetet mungesa e këshilltarëve ligjorë për prokurorët, duke kërkuar ndryshime në kuadrin ligjor për të rritur efikasitetin dhe profesionalizmin.

“Sa i përket burimeve njerëzore, është problematikë e thënë disa herë në raporte. Prokurorët nuk kanë këshilltarë ligjorë, vetëm drejtuesit kanë. Prokurorët do të duhet të kenë këshilltarët e tyre ligjorë. Duhet të hapen hapësira ligjore dhe më pas të shkojmë te cilësia dhe profesionalizmi”, tha kreu i SPAK.

Braho nënvizoi se, edhe pse retorika politike jo gjithmonë përbën problem, ajo mund të krijojë klimë më të tensionuar dhe të ndikojë në rritjen e agresivitetit ndaj Strukturës së Posaçme, veçanërisht nga grupet e krimit të organizuar.

“Retorika, edhe në disa raste nuk është problematike, por mund të shërbejë si shkak për të rritur agresivitetin ndaj SPAK nga krimi i organizuar”, përfundoi Braho.

10:50 -  “20 prokurorë na mjaftojnë”, Braho: SPAK të mos hetojë për 50 mijë lekë korrupsion

Kreu i SPAK, Klodian Braho ka kërkuar rishikim të legjislacionit për disa vepra penale që trajtohen nga kjo strukturë, duke theksuar se pragu aktual prej 50 mijë lekësh për veprat e korrupsionit po sjell një ngarkesë të lartë hetimore për institucionin.

Gjatë raportimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për punën e kryer nga Prokuroria e Posaçme në vitin 2025, Braho deklaroi se, ndonëse nuk sheh nevojë për ndryshime të mëdha ligjore në këtë fazë, rritja e kësaj fashe do të ndihmonte në përqendrimin e burimeve të SPAK tek çështjet me impakt më të madh.

“Ngarkesa është e lartë, do vijojë të rritet më tej. Numri i prokurorëve, 20 është i mjaftueshëm duke pasur sistemin e Prokurorive në gjithë Shqipërinë. Duhet të gjejmë mënyrën më të duhur për të ngritur profesionalizmin me çështjet që kemi në hetim dhe duhet të rrisim nivelin profesional të hetuesve të BKH që të lehtësohet puna e prokurorëve. Këtë vit do nisim rekrutimin e 40 hetuesve të tjerë në BKH dhe do jetë numër i lartë që do ndikojë në punën e ngarkesës dhe rritjen e cilësisë së hetimeve. Ndryshimeve ligjore, nuk shoh diçka që është gabim në këtë moment që duhet të ndryshohet që të ulet ngarkesa e punës, përveç diskutimeve që kemi bërë më parë për korrupsionin aktiv dhe pasiv. Fasha prej 50 mijë lekësh duhet parë, por është proces që kërkon kohën e vet. Duhet të jetë më e lartë, kjo e rrit ngarkesën e çështjeve. E njëjta gjë edhe për veprat penale që lidhen me prokurimet, është fashë e vogël në vlerësimin tonë”, deklaroi Braho.

Një tjetër problematikë e ngritur nga kreu i SPAK lidhet me specialistët që trajtojnë letërporositë ndërkombëtare. Sipas tij, mungesa e statusit të Oficerit të Policisë Gjyqësore për këta specialistë krijon pengesa procedurale dhe shton barrën mbi hetuesit.

“Letër-porositë që vijnë apo dërgohen nga SPAK nuk kalojnë në Prokurorinë e Përgjithshme, por ekzekutohen nga SPAK vetë. Kjo është e mirë sepse i jep SPAK rol aktiv dhe shumë të drejtpërdrejtë në hetime. Kemi kërkuar të rishikohet statusi i specialistëve që janë pjesë e sektorit. Lind nevoja që shumë veprime të kryhen prej tyre, por për të kryer këto veprime duhet të kenë statusin e Oficerit të Policisë Gjyqësore, ndërsa aktualisht kanë status nëpunësi. Ky ngërç duhet të rregullohet me ligj që veprimet e tyre të mos jenë të diskutueshme proceduralisht. Nëse specialistët ndërlidhës do të kenë këtë status, kjo do të sjellë që hetuesi të mos jetë i ngarkuar me këtë procedurë”, tha Braho.

Braho bëri të ditur gjithashtu se gjatë vitit që lamë pas, SPAK regjistroi 45.4 milionë euro të sekuestruara dhe konfiskuara, përfshirë 12.4 milionë euro në portofole kriptovalutash. Sipas kreut të Prokurorisë së Posaçme ky është një tregues i zgjerimit të hetimeve financiare dhe luftës kundër pastrimit të parave.

Ai po ashtu theksoi se masa e arrestit me burg është përdorur vetëm si instrument i fundit, duke reflektuar një qasje më të kujdesshme ndaj masave të sigurimit personal.

Bilanci i vitit 2025 sipas të dhënave të paraqitura nga kreu i SPAK:

871 procedime penale janë hetuar gjatë vitit 2025
294 procedime të reja janë regjistruar gjatë vitit
577 çështje janë mbartur nga viti 2024
Volumi i hetimeve është rritur me 4.9%
Janë mbyllur hetimet për 216 çështje
Arresti me burg ka rënë me 53.4% krahasuar me vitin paraardhës

10:00 - Braho falenderon Dumanin, nis raportimin vjetor të SPAK në KLP

Kreu i SPAK Klodjan Braho ka nisur këtë paradite prezantimin e raportit vjetor të institucionit që drejton në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. 

Ai ka falenderuar paraardhësin e tij Altin Dumani në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjatë raportimit ai foli për rritje të volumit të hetimit nga ana e institucionit që drejton, si dhe të ndjekes së korrupsionit në nivele drejtuese.

"SPAK ka nisur 871 procedime penale, krahasuar me vitin 2025, është rritur me 4.9 për qind. Për vitin 2025, procedimet penale të reja që janë regjistruar janë 294. Efektiviteti në gjykim ka mbetur në nivele të qëndrueshme", tha ai teksa prezantonte shifrat.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)