Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Prishtinë, ku u takua me homologun e tij kosovar, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha. Në takimin mes dy delegacioneve mori pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj së bashku me drejtues të lartë të strukturave policore të të dy vendeve.
Gjatë bisedimeve, fokusi kryesor ishte forcimi i bashkëpunimit mes dy policive në luftën kundër krimit të organizuar, kriminalitetit ndërkufitar dhe sfidave që lidhen me sigurinë rajonale. Palët vlerësuan rezultatet e deritanishme të operacioneve të përbashkëta dhe koordinimin mes institucioneve ligjzbatuese, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të informacionit dhe rritjes së kapaciteteve në hetimin e veprave kriminale.
Në fjalën e tij, Skënder Hita deklaroi se vizita në Prishtinë kishte një rëndësi të veçantë, duke nënvizuar lidhjet e forta mes dy vendeve dhe angazhimin për të çuar më tej partneritetin në fushën e sigurisë. “Krimi sot është më i organizuar, më i sofistikuar dhe pa kufij. Për këtë arsye, edhe përgjigjja jonë duhet të jetë më e shpejtë, më e koordinuar dhe më e fortë. Shqipëria dhe Kosova kanë ndërtuar një partneritet model mes dy policive tona dhe ky bashkëpunim do të vijojë të forcohet në shërbim të sigurisë së qytetarëve tanë”, u shpreh Drejtori Hita.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)