Studentët dhe universitetet në të gjithë vendin tashmë kanë një kalendar të qartë për nisjen e vitit të ri akademik. Ministria e Arsimit ka publikuar urdhrin zyrtar që përcakton datat e zhvillimit të vitit akademik 2026-2027 në institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri.
Sipas dokumentit të firmosur më 11 maj 2026 nga ministrja Mirela Kumbaro, procesi mësimor në universitetet shqiptare do të nisë më 5 tetor 2026 dhe do të përfundojë më 24 shtator 2027.
Në urdhër parashikohet gjithashtu që universitetet publike, pas përfundimit të regjistrimeve të kandidatëve fitues, të shpërndajnë në të gjitha njësitë përkatëse listat me studentët e regjistruar sipas programeve të studimit dhe fakulteteve.
Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë, Drejtoria e Përgjithshme e Zhvillimit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, Qendra e Shërbimeve Arsimore, si dhe vetë institucionet e arsimit të lartë.
Publikimi i kalendarit akademik vjen në një periudhë kur universitetet po përgatiten për fazën e pranimeve të reja dhe organizimin e programeve të studimit për vitin e ardhshëm universitar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)