Britania e Madhe ka dhuruar pajisje të teknologjisë bashkëkohore për Policinë e Shtetit, me një vlerë totale prej rreth 200 mijë paundësh, në funksion të forcimit të kapaciteteve operacionale dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe krimit ndërkufitar.
Ceremonia e dorëzimit të donacioneve u zhvillua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku morën pjesë drejtori i përgjithshëm Skënder Hita, Menaxherja Rajonale e HOIO, Tara Moore, Menaxheri Ndërkombëtar Ndërlidhës i HOIO, Stephen Laë, si dhe drejtues të lartë të strukturave policore.
Sipas Policisë së Shtetit, ndihma konsiston në pajisje moderne teknologjike që do të përdoren nga Departamenti i Policisë Kriminale, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, si dhe Njësia e Informacionit të Pasagjerëve. Pajisjet synojnë të përmirësojnë identifikimin e rreziqeve, kontrollet kufitare dhe eficiencën e hetimeve policore.
Gjatë fjalës së tij, Hita vlerësoi mbështetjen e partnerëve britanikë, duke theksuar se investime të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të Policisë së Shtetit.
“Bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese britanike mbetet një model i suksesshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe atij ndërkufitar”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Tara Moore konfirmoi se agjencitë britanike do të vijojnë mbështetjen ndaj institucioneve shqiptare përmes asistencës teknike, logjistike dhe shkëmbimit të praktikave profesionale.
Donacioni vjen në kuadër të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe për forcimin e sigurisë, menaxhimin e kufijve dhe goditjen e rrjeteve kriminale.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)