Një zjarr i madh ka përfshirë në orët e para të mëngjesit tregun e ri të fruta-perimeve në Lushnjë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Flakët kanë shkrumbuar të paktën gjysmën e tregut, ndërsa disa dyqane janë dëmtuar plotësisht.
Sipas informacioneve paraprake, fillimisht u dyshua për një shkak aksidental ose defekt elektrik, për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve për shkak të materialeve të tregut. Megjithatë, nga verifikimi i kamerave të sigurisë, policia dyshon se zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm. Në pamje shfaqen tre persona që dyshohet se i kanë vënë flakën tregut, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin e tyre.
Tregu ishte ndërtuar tre vite më parë dhe shërbente si pikë kryesore për tregtimin e fruta-perimeve në qytet. Tregtarët, të cilët paguajnë tarifë për ushtrimin e aktivitetit, kanë kërkuar ndërhyrje dhe mbështetje financiare pas dëmeve të mëdha të shkaktuara.
Kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa, zhvilloi një takim me tregtarët e prekur dhe deklaroi se 10 prej tyre, që kanë pësuar dëmet më të mëdha, do të përfshihen në një skemë dëmshpërblimi që pritet të shqyrtohet nga Këshilli Bashkiak.
“Do të shikojmë mundësinë që tregtarët më të dëmtuar të dëmshpërblehen”, u shpreh Sefa.
Deri në pastrimin dhe rikthimin në funksion të tregut, tregtarët do të lejohen të zhvillojnë aktivitetin në hapësira të përkohshme jashtë tij.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)