Parashikimi i motit për këtë të shtunë: Kthjellime, vranësira dhe reshje lokale në zonat malore

Reshje të herëpashershme shiu me intensitet të ulët priten kryesisht në zonat malore të lindjes së vendit, duke nisur nga mesdita deri në orët e vona të pasdites.

23.05.2026. 08:02

Parashikimi i motit për këtë të shtunë: Kthjellime, vranësira dhe reshje lokale në zonat malore

Ditën e sotme, më 23 maj, vendi ynë pritet të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme, me mot kryesisht të kthjellët në orët e para të ditës. Sipas parashikimeve, gjatë mesditës dhe pasdites do të ketë shtim gradual të vranësirave të pakta deri mesatare në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa në zonat kodrinore dhe malore vranësirat do të bëhen herë pas here më të dendura.

Reshje të herëpashershme shiu me intensitet të ulët priten kryesisht në zonat malore të lindjes së vendit, duke nisur nga mesdita deri në orët e vona të pasdites. Në intervale të shkurtra, reshjet mund të marrin formën e shtrëngatave të shoqëruara me shkarkesa elektrike dhe lokalisht me breshër. Reshje të dobëta shiu parashikohen edhe në relievet e larta malore të jugut.

Pas orëve të pasdites moti pritet të përmirësohet gradualisht, me ndërprerje të reshjeve në të gjithë territorin. Era do të fryjë kryesisht nga veriu me shpejtësi mesatare deri në 8 metra për sekondë, ndërsa përgjatë bregdetit dhe në zonat luginore herë pas here mund të arrijë deri në 17 metra për sekondë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)