Arben Ahmetaj kërkon të pyetet me videokonferencë, shtyhet për më 27 janar gjyqi për dosjen “Buka” SHA

Ditën e sotme u zhvillua në Gjykatën e Posaçme, gjyqi në mungesë për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj, për dosjen ‘Buka’ SHA. Seanca u shoqërua me debate mes avokatit të Ahmetajt dhe prokurorit të SPAK.

13.01.2026. 15:25

Arben Ahmetaj kërkon të pyetet me videokonferencë, shtyhet për më 27 janar gjyqi për dosjen “Buka” SHA

Gjykata e Posaçme vendosi të shtyjë për më 27 janar seancën gjyqësore ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili po gjykohet në mungesë për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” në kuadër të dosjes “Buka” SHA. Vendimi u mor për t’i dhënë kohë prokurorit të SPAK të shqyrtojë provat dhe dëshmitarët e kërkuar nga mbrojtja.

“Seanca shtyhet për datën 27 janar, për t’i dhënë kohë prokurorit të shprehet mbi provat dhe kërkesat e paraqitura nga mbrojtja”, u shprehen togat e zeza gjatë seancës.

Gjatë seancës pati debate mes mbrojtjes dhe prokurorisë. Avokati i Ahmetajt, Henrik Ligori, paraqiti një sërë kërkesash procedurale dhe theksoi qëndrimin e klientit të tij ndaj akuzës.

“Jam autorizuar prej tij që të them se ai nuk e pranon akuzën, deklarohet i pafajshëm dhe e konsideron atë politike”, tha Ligori.

Ai kërkoi që Ahmetaj të pyetet përmes videokonferencws, të administrohen prova shkresore, të pyeten ekspertët e akt-ekspertimit teknik dhe kontabël, si dhe të thirren si dëshmitarë ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe zyrtarë të tjerë. Po ashtu, mbrojtja kërkoi administrimin e të gjithë dokumentacionit juridik që lidhet me “Buka” SHA.

Nga ana tjetër, SPAK mbrojti qëndrimin se Ahmetaj ka shkelur detyrën, duke vepruar në kundërshtim me vendime gjyqësore të formës së prerë dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në seancë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të familjes Myderizi, të dëmtuar nga vepra penale, të cilët ritheksuan pretendimet e tyre mbi vlerësimin e pronës dhe procesin e privatizimit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)