Një tunel i përshtatur në fermë për kultivimin e kanabisit është zbuluar nga policia e Shkodrës në lagjen “10 Korriku” të qytetit verior.
“U organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Neonët 9”. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë zbuluar një ambient (tunel), në oborrin e një banese të marrë me qira nga shtetasi A. P., në lagjen “10 Korriku”, i cili ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me pajisje që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 555 fidanë dhe 115 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 126 llamba, 80 paisje inventer, 31 panele led dhe 17 filtra ajri, që shërbenin për kultivimin dhe tharjen e fidanë dhe bimëve narkotike”, njofton policia.
Gjatë operacionit janë vënë në pranga 3 persona, mes të cilëve një punonjës i OSHEE-së, ndërsa tre të tjerë janë në hetim për shpërdorim detyre. Të arrestuarit janë identifikuar si shtetasit Arvid Papajanis, Klodian Hasanaj dhe Dritan Selmani.
“Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. P., 35 vjeç, banues në Shkodër dhe K. H., 30 vjeç, banues në fshatin Degë, Tropojë, të cilët u kapën në ambientet e tunelit. Gjithashtu, u vu në në pranga shtetasi D. S., 40 vjeç, banues në Shkodër, si dhe nisi hetimi për shtetasit D. P., 32 vjeç, M. H., 35 vjeç dhe F. V., 23 vjeç, punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim”, sqarojnë Blutë e Shkodrës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)