Shpëtohet 22-vjeçari i bllokuar në Kanioni i Osumit, vijojnë kërkimet për 45-vjeçarin

AKMC dhe Renea kanë shpëtuar nga ujërat e Osumit të riun Xhuljano Kaloti që po ndihmonte për gjetjen e trupit të 45-vjeçarit Ilir Kurti.

22.02.2026. 08:56

Shpëtohet 22-vjeçari i bllokuar në Kanioni i Osumit, vijojnë kërkimet për 45-vjeçarin

Një 22-vjeçar është shpëtuar pas disa orësh i bllokuar në Kanionin e Osumit, ku kishte hyrë në ujë për t’i ardhur në ndihmë forcave RENEA gjatë operacionit për gjetjen e trupit të 45-vjeçarit Ilir Kurti.

I riu, Xhuljano Kaloti, mbeti i ngecur në lumë që prej mesditës së së shtunës. Përpjekjet e para për nxjerrjen e tij rezultuan të pasuksesshme për shkak të kushteve të vështira dhe prurjeve të larta të ujit.

Fatmirësisht, mëngjesin e së dielës ai u arrit të shpëtohej dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Sipas burimeve zyrtare, 22-vjeçari është i vetëdijshëm dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.

Në një njoftim zyrtar, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bëri të ditur se operacioni i kërkim-shpëtimit u koordinua me strukturat vendore dhe u realizua falë angazhimit të alpinistëve, vullnetarëve, forcave RENEA dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë, në kushte tepër sfiduese.

Autoritetet njoftojnë se operacioni vijon pa ndërprerje për kërkimin e personit tjetër të raportuar të humbur.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)