Një ngjarje e rëndë u regjistrua paraditen e sotme në Tiranë, ku një fëmijë 7-vjeçar humbi jetën si pasojë e një aksidenti rrugor.
I mituri u përplas nga një automjet në rrugën “Kastriotët”. Fillimisht ai është goditur nga një mjet i drejtuar nga Tomorr Shukulli, rreth 55 vjeç, i cili është vënë në pranga.
Policia po ashtu ka arrestuar 42-vjeçaren Valentina Koltraku, pasi edhe ajo e ka përplasur të miturin pas aksidentit me mjetin e Shukullit.
Burime zyrtare bëjnë me dije se drejtuesi i mjetit të parë është larguar nga vendngjarja menjëherë pas përplasjes, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes janë ende nën hetim.
Grupi hetimor po punon për të sqaruar dinamikën e aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të personave të përfshirë në këtë ngjarje tragjike.
NJOFTIMI I POLICISE
Tiranë/Zbardhen autorësia dhe rrethanat e aksidentit të ndodhur mesditën e sotme, në rrugën “Kastriotët”, me pasojë vdekjen e një të mituri.
Identifikohen dhe vihen në pranga drejtuesit e 2 automjeteve të përfshira në këtë aksident.
Gjenden dhe sekuestrohen 2 automjetet.
Si rezultat i hetimeve të kryera nga grupi i posaçëm, menjëherë pas aksidentit të ndodhur rreth orës 11:20 të datës 24.02.2026, në rrugën “Kastriotët”, si pasojë e të cilit humbi jetën një 7 vjeçar, specialistët e qarkullimit rrugor identifikuan dhe arrestuan autorët e dyshuar të rastit, shtetasit T. Sh., 55 vjeç dhe V. K., 42 vjeçe.
Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se i mituri është përplasur fillimisht nga automjeti që drejtonte 55-vjeçari dhe më pas nga automjeti që drejtonte shtetasja V. K.
Të dy drejtuesit e automjeteve janë larguar nga vendi i aksidentit.
Gjatë veprimeve hetimore, 55-vjeçari, i cili e ka transportuar të miturin, në spital, ka tentuar të mohojë dijeninë rreth aksidentit.
Hetimet vijojnë për të individualizuar dhe dokumentuar përgjegjësinë penale të secilit prej të arrestuarve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)