Një grabitje e armatosur është regjistruar mëngjesin e sotëm në një pikë të këmbimit valutor në qendrën tregtare Concord në Tiranë, duke shkaktuar alarm mes qytetarëve dhe punonjësve të zonës.
Sipas informacioneve paraprake, autori i dyshuar i grabitjes është identifikuar nga autoritetet si 42-vjeçari Luan Maçi. Ai dyshohet se ka hyrë në ambientet e pikës së këmbimit valutor i armatosur dhe ka marrë një shumë parash, përpara se të largohej nga vendngjarja.
Menjëherë pas ngjarjes, policia ndërmori një operacion për kapjen e autorit, duke ngritur pika kontrolli dhe duke kryer kërkime në disa zona të kryeqytetit. Pas disa orësh kërkime, efektivët e policisë arritën ta lokalizojnë dhe ta vënë në pranga 42-vjeçarin.
Burime nga policia bëjnë me dije se i dyshuari është arrestuar vetëm pak kohë pas grabitjes, ndërsa po vijojnë veprimet hetimore për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar nëse ai ka pasur bashkëpunëtorë.
Ndërkohë, pritet që ndaj Luan Maçit të rëndojnë akuzat për grabitje me armë dhe posedim të paligjshëm të armëve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)