Incident në Shkodër, pasagjeri i një mjeti qëllon me armë teksa ndiqej nga policia

Policia e Shkodrës informon se i janë vënë pas një makine të dyshimtë, që nuk ju bind urdhrit për ndalim dhe gjatë ndjekjes nga ana e pasagjerit në mjet është qëlluar me armë zjarri në ajër.

09.03.2026. 16:20

Incident në Shkodër, pasagjeri i një mjeti qëllon me armë teksa ndiqej nga policia

Një incident me armë zjarri është regjistruar në mesditë në lagjen "Guerrile" të Shkodrës, teksa një automjet nuk është ndalur pas urdhrit të policisë për të ndaluar.

Blutë e qytetit sqarojnë se i janë vënë pas makinës së dyshimtë, teksa gjatë ndjekjes nga ana e pasagjerit është qëlluar me armë zjarri në ajër.

"Rreth orës 15:10, gjatë patrullimit në lagjen “Guerrile”, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, një automjeti me të cilin lëviznin 2 shtetas, me qëllim kryerjen e kontrolleve. Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, por ka shtuar shpejtësinë e lëvizjes dhe ka kryer manovra të rrezikshme me automjet. Për këto arsye, shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje automjetit. Gjatë ndjekjes, dyshohet se pasagjeri në këtë automjet, duke u larguar ka qëlluar një herë, në ajër, me armë zjarri, dhe është larguar", informon policia.

Më tej sqarohet se është arrestuar drejtuesi i automjetit, inicialet e të cilit nuk bëhen të ditura për momentin, për shkak të konfidencialitetit të hetimit. Ndërkaq, vijon intensivisht puna për lokalizimin dhe kapjen e pasagjerit në këtë automjet.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për të zbardhur rrethanat e rastit, ndërsa në zonë kanë mbërritur dhjetëra forca policie, të cilat kanë rrethuar lagjen dhe kanë ngritur pika kontrolli për të bërë të mundur kapjen e personit të dyshuar.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)