Kreu i Bashkisë së Shkodër, Benet Beci, do të përballet me drejtësinë, pasi GJKKO ka vendosur ta çojë zyrtarisht për gjykim në lidhje me një tender me vlerë rreth 700 mijë euro, duke e futur çështjen në një fazë të re vendimtare.
Sipas SPAK, Beci akuzohet për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, një vepër penale që dyshohet të jetë kryer gjatë kohës kur ai drejtonte KESH. Hetimet lidhen me një procedurë tenderimi me vlerë të konsiderueshme, e cila sipas prokurorisë nuk ka respektuar rregullat e konkurrencës së barabartë.
Në të njëjtin procedim penal janë marrë të pandehur edhe gjashtë zyrtarë të tjerë: Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti dhe Rudin Gjoni, të cilët akuzohen për të njëjtën vepër penale, të kryer në bashkëpunim.
Në njoftimin zyrtar, GJKKO bën me dije se kërkesa e SPAK për dërgimin e çështjes në gjyq është paraqitur më 8 janar 2026 dhe është shqyrtuar në seancën paraprake të 17 marsit 2026 nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Marinela Osmani.
Gjykata vendosi pranimin e kërkesës së prokurorisë dhe kalimin e çështjes për gjykim, duke formalizuar kështu hapjen e procesit ndaj të pandehurve. Po ashtu, është vendosur formimi i fashikullit të gjykimit, i cili përfshin të gjitha aktet e hetimeve paraprake dhe materialet e paraqitura në seancën paraprake.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)