Arrestohet në Brazil Ervin Mata

Një operacion ndërkombëtar ka çuar në arrestimin e Ervin Matës në Brazil, një nga personat e shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge dhe përfshirje në organizatë kriminale.

27.04.2026. 21:02

Arrestohet në Brazil Ervin Mata

Një operacion ndërkombëtar ka çuar në arrestimin e Ervin Matës në Brazil, një nga personat e shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge dhe përfshirje në organizatë kriminale.

Sipas të dhënave zyrtare, 39-vjeçari u kap në qytetin Ilha Bela, ku fshihej duke përdorur dokumente identifikimi angleze të falsifikuara. Arrestimi u realizua në kuadër të operacionit “The Wanted”, falë bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Brasilias, si dhe agjencive ligjzbatuese ndërkombëtare.

Ervin Mata kërkohej nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila në vitin 2023 kishte nisur një hetim të gjerë në bashkëpunim me EUROJUST, EUROPOL dhe autoritetet e disa vendeve europiane dhe të Amerikës Latine.

Sipas SPAK, Mata dyshohet se ka qenë një nga koordinatorët kryesorë të një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt Europës. Në kuadër të këtij aktiviteti, ai akuzohet se ka organizuar dërgimin e të paktën 240 kilogramëve kokainë në vitin 2020, ndërsa gjatë hetimeve dyshohet se grupit i janë kapur gjithsej 931 kilogramë drogë brenda një periudhe dyvjeçare.

Autoritetet shqiptare dyshojnë gjithashtu se të ardhurat e përfituara nga trafiku i drogës janë investuar në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, ndërsa për të fshehur gjurmët e parave është përdorur sistemi informal i transferimit “Hawala”.

Gjykata e Posaçme kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale të trafikimit të narkotikëve dhe pjesëmarrjes në organizatë kriminale.

Ndërkohë, Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me autoritetet braziliane për të finalizuar procedurat e ekstradimit të Matës drejt Shqipërisë, ku ai do të përballet me drejtësinë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)