Opozita zhvillon sot foltoren e saj të gjashtë përpara Kryeministrisë, ndërsa Policia e Tiranës ka hartuar një plan masash për mbarëvajtjen e protestës, duke paralajmëruar bllokimin e disa akseve kryesore të kryeqytetit për disa orë.
Në kuadër të tubimit që pritet të mbahet nga ora 18:00 deri në 20:00, Policia e Tiranës njofton se ka marrë masa për garantimin e rendit publik, sigurinë e qytetarëve dhe ushtrimin e lirë të së drejtës së tubimit. Për këtë arsye, do të kufizohet qarkullimi i automjeteve në disa segmente rrugore të rëndësishme.
Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 15:00 e deri në përfundim të protestës do të bllokohet lëvizja në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”. Po ashtu, do të ketë kufizime edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia sqaron se, në varësi të ecurisë së protestës, kufizimet mund të shtrihen edhe në akse të tjera rrugore. Në raste të tilla, shërbimet e policisë do të devijojnë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative, me qëllim lehtësimin e lëvizjes për qytetarët.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve që të shmangin përdorimin e automjeteve në zonat që do të bllokohen dhe të ndjekin udhëzimet e policisë për të shmangur trafikun dhe vonesat.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)