Berisha me akuza të rënda për presione ndaj dëshmitarëve në çështjen Balluku: Rama po shkon drejt grushtit të shtetit

Sali Berisha denoncon për presione dhe kërcënime ndaj dëshmitarëve në çështjen Balluku, duke akuzuar kryeministrin Rama për shkelje të drejtësisë dhe duke i kërkuar dorëheqjen e menjëhershme.

14.01.2026. 13:19

Berisha me akuza të rënda për presione ndaj dëshmitarëve në çështjen Balluku: Rama po shkon drejt grushtit të shtetit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar akuzat ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke denoncuar atë që e cilësoi si një skenar intimidimi dhe kërcënimi ndaj dëshmitarëve për të mbrojtur ministren Belinda Balluku. Gjatë një konference për mediat, Berisha deklaroi se administrata shtetërore po përdoret për të ndikuar në proceset e drejtësisë dhe për të deformuar dëshmitë.

Sipas tij, punonjës të administratës po thirren dhe po ushtrohet presion mbi ta që të ndryshojnë ose të heshtin për dëshmitë e tyre. “Ka një seri aferash shumë të rënda me miliarda euro vjedhjesh të taksapaguesve shqiptarë. Ndërkohë intimidohen dhe thirren si në zyrat e policisë sekrete punonjës të administratës, që ose duhet të ndryshojnë dëshmitë e tyre ose të mos dëshmojnë fare”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se presionet shtrihen edhe mbi Gjykatën Kushtetuese dhe paralajmëroi për rrezik serioz ndaj shtetit të së drejtës. “Edi Rama, për të mbrojtur veten dhe krimet e tij, po shkon drejt grushtit të shtetit, drejt asgjësimit de facto të drejtësisë në Shqipëri”, tha kreu i PD-së.

Berisha i kërkoi Ramës dorëheqjen e menjëhershme dhe u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën kombëtare të thirrur nga opozita më 24 janar.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)