Duke folur për mediat jashtë Parlamentit, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, deklaroi se “vijon turpi” në Kuvend, pasi në sallë ishte e pranishme zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, për të cilën, sipas tij, SPAK ka kërkuar arrestin. Ai akuzoi mazhorancën se po injoron hapur proceset e drejtësisë dhe po mbron zyrtarë të dyshuar për korrupsion.
Shehaj u ndal edhe te një letër që, sipas tij, po përdoret nga përfaqësues të qeverisë si argument për t’iu shmangur drejtësisë. Ai ironizoi faktin se e njëjta letër i është dërguar edhe presidentit të Bjellorusisë, duke e cilësuar interpretimin e saj nga mazhoranca si “mashtrim” dhe “shpëtim imagjinar nga burgu”.
Kreu i Partisë Mundësia theksoi rëndësinë e vendimit që pritet më 22 janar nga Gjykata Kushtetuese, duke e cilësuar atë vendimtar për të ardhmen e shtetit ligjor. Sipas tij, në atë datë do të përcaktohet nëse pushteti politik është vërtet i barabartë para ligjit.
“Në datën 22 janar GJK duhet të vendosë nëse jemi të gjithë të barabartë para ligjit, nëse një pushtetar që kapet duke vjedhur duhet të shkojë në burg apo jo”, tha Shehaj.
Shehaj akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të ndikojë procesin nga frika e pasojave politike, duke e përshkruar situatën si një përballje të drejtpërdrejtë mes pandëshkueshmërisë dhe drejtësisë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)