Partia Demokratike ka njoftuar se do të jetë pjesë e seancës së sotme të Kuvendit ku pritet të miratohet me procedurë të përshpejtuar projektvendimi i miratuar nga qeveria për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes. Një iniciativë e re kjo e krijuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Në një njoftim për shtyp, demokratët shprehen se ndonëse nuk janë dakord me rendin e ditës së Kuvendit, do ta mbështesin vendimin që Shqipëria të jetë pjesë e këtij organizmi të ri ndërkombëtar.
“Pavarësisht shkeljes së të gjitha rregullave procedurale kushtetuese dhe të Rregullores së Kuvendin, si një provokim të ulët ndaj opozitës dhe qytetarëve shqiptar, nga njeriu që ngërçin e tij me SHBA dëshiron t’ia imponojë Shqipërisë apo të mashtrojë shqiptarët sikur kjo nuk ekziston, ne do të marrim pjesë nesër në seancë, si mbështetje ndaj përpjekjeve/angazhimit të Presidentit të SHBA për paqen dhe sigurinë globale”, shkruhet në njoftimin e PD.
Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën vendimin për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, pas ftesës së bërë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Dokumenti i miratuar nga qeveria i është përcjellë Kryetarit të Kuvendit, i cili e ka futur në rend dite për të enjten.
Pak ditë më parë, kryeministri Rama konfirmoi marrjen e ftesës për përfshirjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes dhe kërkoi që çështja të trajtohej me procedurë të përshpejtuar në Kuvend.
Një ftesë të ngjashme e ka marrë dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Bordi i Paqes është një strukturë e ngritur nën iniciativën e Presidentit amerikan Donald Trump, me synim administrimin kalimtar, rindërtimin dhe stabilizimin e Rripit të Gazës pas konfliktit të zgjatur. Në përbërje të tij janë përfshirë liderë dhe figura me peshë ndërkombëtare, ndërsa Trump do të ketë rolin e kryetarit të bordit.
Mes emrave të përmendur si pjesë e kësaj strukture janë Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ish-Kryeministri i Britanisë së Madhe Tony Blair, Jared Kushner, si edhe përfaqësues të Bankës Botërore.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)