Bojkotuan 'Territorialen', deputeti i PD kundër Berishës: Po i lini dorë të lirë Ramës ta deformojë më shumë

Deputeti i PD, Bujar Leskaj ka dalë kundër vendimit të partisë së tij për të bojkotuar komisionin e posaçëm të reformës territoriale. Sipas tij, nëse opozita largohet, i jep kryeministrit Edi Rama mundësinë ta deformojë edhe më shumë.

02.02.2026. 15:56

Bojkotuan 'Territorialen', deputeti i PD kundër Berishës: Po i lini dorë të lirë Ramës ta deformojë më shumë

Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, ka dalë kundër vendimit të opozitës për të bojkotuar Komisionin e Posaçëm Parlamentar për rishikimin e Reformës Administrativo-Territoriale, duke paralajmëruar se një veprim i tillë i hap rrugë maxhorancës për ta deformuar më tej reformën në favor të saj.

Deputetët e PD-së munguan në mbledhjen e kësaj të hëne të komisionit, e cila përbënte edhe afatin e fundit të vendosur nga maxhoranca. Sipas Leskajt, bojkotimi i këtij procesi është një gabim politik me pasoja të rënda.

“Nëse ne, si Parti Demokratike, nuk i shkojmë deri në fund rishikimit të Reformës Administrativo-Territoriale, i japim një mundësi të dytë qeverisë së sektit Rama për ta deformuar edhe më tej këtë reformë, me efekte tërësisht jashtë interesit të qytetarëve. Gabimi i dytë është gjithmonë më i madh se i pari”, thekson Leskaj.

Deputeti demokrat vlerëson se reforma e vitit 2014 ka dështuar në mënyrë të thellë dhe nuk ka prodhuar përfitime për qytetarët apo për qeverisjen vendore.

“Për 12 vite, kjo reformë nuk ka prodhuar asnjë rezultat pozitiv. Përkundrazi, ajo ka sjellë pasoja të rënda në të gjithë territorin, duke dobësuar njësitë administrative dhe duke dëmtuar shërbimet për qytetarët”, shprehet ai.

Sipas Leskajt, ndarja territoriale e vitit 2014 u konceptua mbi baza elektorale, me qëllim favorizimin e Partisë Socialiste, duke cenuar demokracinë vendore dhe përfaqësimin real të komuniteteve. Ai nënvizon se rishikimi i reformës është sot një domosdoshmëri dhe duhet të bëhet mbi bazën e konsensusit politik dhe parimeve të Kartës Europiane të Autonomisë Vendore.

“Reforma administrativo-territoriale kërkon konsensus politik substancial. Një ndarje e njëanshme territoriale deformon qeverisjen vendore dhe vullnetin e zgjedhësve”, thekson deputeti i PD-së.

Leskaj rendit katër dështimet kryesore të reformës aktuale: mungesën e eficiencës ekonomike, përqendrimin e pushtetit te kryebashkiakët, dobësimin e demokracisë vendore dhe dështimin për të nxitur zhvillimin ekonomik e social.

Ai kujton se Partia Demokratike ka një draft konkret për rishikimin e reformës, të përgatitur gjatë viteve 2022–2023, që parashikon rikonfigurimin e territorit në 94 ose 97 bashki dhe krijimin e pesë rajoneve të mëdha, me qëllim forcimin e decentralizimit dhe autonomisë vendore.

“Partia Demokratike ka një produkt të vetin, të cilin e ka bërë publik dhe pjesë të programit qeverisës. Kemi detyrimin ta mbrojmë dhe ta argumentojmë këtë draft në Komisionin përkatës”, deklaron Leskaj.

Duke iu referuar takimeve me qytetarët në qarkun e Vlorës, deputeti demokrat thekson se ka mbështetje të gjerë për krijimin e bashkive të reja si Orikumi, Amantia, Ksamili dhe Novosela.

Në përfundim, Leskaj apelon që Partia Demokratike të mos largohet nga komisioni, pasi kjo do t’i shërbente interesave të kryeministrit Rama.

“Edi Rama kërkon një komision të njëanshëm, pa opozitën. Këtë mundësi nuk duhet t’ia japim kurrsesi. Reforma nuk duhet të realizohet pa praninë dhe kontributin e Partisë Demokratike”, nënvizon ai.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)