Nga mbledhja e Grupit të Partisë Socialiste, ku u vendos që të rrëzohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit dhe hapjes rrugë të arrestimit të Belinda Ballukut, kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk do të ndërhyjë në procesin e drejtësisë për rastin e ish-zëvendëskryeministres.
Shefi i qeverisë tha se ai nuk mund të mbrojë asnjë bashkëpunëtor përballë akuzave të ngritura nga organet e drejtësisë, por nënvizoi se në gjykimin e tij SPAK ka vepruar në mënyrë emocionale sa i takon rastit ‘Balluku’, duke çuar në Kuvend kërkesën për arrestimin e saj pasi Kushtetuesja vendosi pezullimin e vendimit të GJKKO për pezullimin e saj nga detyra.
Sipas Ramës, organi i akuzës ka kërkuar “kokën e një të zgjedhuri”, me muhabete telefoni, duke ju referuar një bisede të paraqitur si provë nga SPAK në Këshillin e Mandateve.
“Unë si kryeministër, ndryshe nga sa mendojnë dhe flasin ata që se kanë idenë e kësaj detyre, se kam as të mundur, por as të lejuar, qoftë nga ligji dhe nga zakoni që t’i mbaj pishën asnjë bashkëpunëtori”, tha Rama.
Kreu i ekzekutivit u shpreh se detyra e tij nuk është të shpallë askënd të pafajshëm apo fajtor, pasi kjo është përgjegjësi e institucioneve të drejtësisë. Rama madje kujtoi se që prej miratimit të reformës në drejtësi ka vendosur një vijë të kuqe për këtë çështje.
“Nuk kam ndërmend t’iu them juve që e njihni më mirë se tjerët që Belinda është një njeri që durohet lehtë në punë, pasi ca më shumë e ca më pak e dimë të gjithë se sa e lehtë është të merresh me të, sidomos kur i thotë koka që ka të drejtë dhe do me çdo kusht t’i dalë e vetja. Nuk kam ndërmend ta shpall të pafajshme, apo të shkel për të vijën e kuqe të cilën e kam vizatuar përpara deputetëve në këtë sallë të nesërmen e miratimit të reformë në drejtësi dhe që vlen për të gjithë njësoj, duke e marrë në mbrojtje nga drejtësia”, u shpreh ai.
Në fund, Rama theksoi se vendimmarrja mbi akuzat dhe provat i takon vetëm institucioneve të drejtësisë. “Gjëra që i takojnë avokatit apo prokurorit dhe gjykatësit, jam apo s’jam unë dakord me këta të fundit”, përfundoi ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)