Sekretariati i Etikës ka vendosur të përjashtojë me 10 ditë nga punimet e Kuvendit dy deputetët e opozitës, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu.
Vendimi u mor pas një kërkese të paraqitur nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, i cili kërkoi masa disiplinore ndaj deputetëve demokratë pas përplasjeve që ndodhën gjatë seancës plenare të së enjtes së kaluar.
Sipas kërkesës së socialistëve, Bardhi duhet të përjashtohej për 10 ditë nga punimet e Kuvendit për pengim të zhvillimit normal të seancës dhe përdorim të gjuhës fyese.
Ndërkohë, për deputetin Klevis Balliu ishte kërkuar fillimisht përjashtim me 30 ditë për shkak të sjelljes agresive dhe dëmtimit të pajisjeve në sallën e Kuvendit. Gjatë tensioneve, Balliu shkuli mikrofonin dhe tentoi të godiste kreun e Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla.
Nga ana tjetër, edhe Partia Demokratike kishte paraqitur një kërkesë për përjashtimin me 60 ditë nga punimet e Kuvendit të Taulant Ballës, pasi sipas tyre ka fyer ligjvënësen Albana Vokshi me referencën “0900” për numrin e saj të telefonit. Pavarësisht kërkesës së opozitës, Sekretariati i Etikës vendosi të mos marrë masë disiplinore ndaj deputetit të mazhorancës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)