Në podcastin e shtyrë për të dielën, kryeministri Edi Rama ka vlerësuar dy raportet e fundit për Shqipërinë që u publikuan në javën e fundit nga Freedom House për lirinë në botë dhe ai i National Cyber Security Index që mat nivelin e përgatitjes së shteteve për të parandaluar kërcënimet kibernetike.
Edhe pse u shpreh se i sheh me rezervë të gjitha llojet e raporteve, përveç atij të KE, kreu i qeverisë deklaroi se ato tregojnë një përmirësim të dukshëm të vendit tonë përsa i përket shkallës së lirisë dhe sigurisë kibernetike.
Duke u ndalur te ky i fundit, Rama u shpreh se Shqipëria ka investuar, falë edhe ndihmës së partnerëve, që të ketë një sistem inovativ mbrojtjeje kibernetike.
“Shqipëria mori një vlerësim nga raporti i Freedom House, i cili është një raport për lirinë në botë. Është një zhvillim që ia vlen të përmendet edhe pse unë të gjithë raportet, përveç atij të KE, i kam me rezervë pasi bazohen në metodologji jo shpesh herë të besueshme. Ky raport vlerësohet dhe sipas tij vendi ynë ka një përmirësim dhe është renditur si vendi më i vlerësuar në rajon për shkallën e lirisë. Ky raport na vendos të parët në rajon. Ndërkohë që ky raport vlerëson dhe luftën kundër korrupsionit dhe reformën në drejtësi.
Edhe pse nuk jam tifoz i raporteve edhe ai për sigurinë kibernetike ka një rëndësi të veçantë. Ne jemi në fokusin e një armiku që na sulmoi disa vite më parë dhe na bëri dëme dhe na sulmon përditë, por tashmë pa asnjë sukses. Sipas këtij indeksi ndërkombëtare Shqipëria është në 10-shen e parë për sigurinë kibernetike. Ne kemi ndërtuar një sistem mbrojtje me nivel të lartë dhe duke përmirësuar kapacitetet e reagimit në hapësirën digjitale dhe duke bashkëpunuar me partnerët, kemi jetësuar një sistem inovativ dhe kemi zënë një vend të lart në rang global”, tha Rama.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)